Futboll

Mposhtet Skënderbeu, Tirana në paqe

Janë luajtur pasditen e kësaj të mërkure dy aktet e para të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Kukësi ka fituar me Skënderbeun në shifrat 2-1, ndërsa Tirana dhe Luftëtari janë ndarë në barazim 0-0. Të dyja ndeshjet nuk kanë dalë nga pritshmëritë dhe për të mësuar finalistët do duhen pritur ndeshjet e kthimit.

Sfida në stadiumin e qytetit të Kamzëz ka dhuruar emocione dhe rivalitet. Kukësi ishte disi më superior karshi korçarëve, por nuk ia doli që të mbyllte çështjen e kualifikimit në finale që në ndeshjen e parë. Dy golat e Rexhinaldos dhe Shkurtajt në pjesën e parë, u duk sikur u zhvlerësuan nga goli i Dejvi Bregut në pjesën e dytë, që la çdo gjë të hapur për ndeshjen në Korçë që do të luhet pas dy javësh.

Sakaq përballja tjetër mes dy ekipeve që luftojnë për mbijetesë por nëpërmjet Kupës kërkojnë edhe një vend në Kupat e Europës, Luftëtari dhe Tirana është mbyllur në barazim. Skuadrat treguan shpirt gare gjatë gjithë ndeshjes dhe dëshirë për të fituar, por asnjëra nuk ia doli që të gjente rrugën e rrjetës. Me këtë rezultat, Tirana është e favorizuar, por duhet të tregohet e kujdesshme, pasi nuk duhet të pësojë gol në “Selman Stërmasi” pas dy javësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë