Ekspozite

Mozaiku me drithra i shqiptarit për Mbretëreshën, jehonë në mediat ndërkombëtare

Nga Gazeta Si - Artisti shqiptar, Alkent Pozhegu, i njohur për mozaikët e veçantë me drithëra, ka realizuar një tjetër mozaik, kësaj radhe të mbretëreshës Elizabeth II, e cila u shua rreth një javë më parë.  

Mozaiku është bërë me fasule, grurë, fara luledielli, oriz, misër e drithëra të tjera me ngjyra.

Artisti me origjinë nga Kosova ka treguar se për veprën muzeale iu deshën 100-120 kg drithë, ndërsa punoi për rreth 6 orë.

“Kam përdorur fasule, grurë, fara luledielli, oriz e drithëra me ngjyra ndërsa mu deshën rreth 100-120 kg drithë”, ka rrëfyer ai.

Ai është shprehur se vepra është bërë në një ambient të hapur, pranë Gjakovës, në një vend që kishte dhe frekuentim të njerëzve për ta parë atë nga afër.

Mozaiku i artistit shqiptar në nder të Mbretëreshës

Vepra e artistit shqiptar me imazhin e mbretëreshës  ka rrëmbyer edhe vëmendjen e të huajve.

Mediat e huaja i kanë bërë jehonë kësaj vepre artistike, e cila ka zënë vend në disa prej titujve të gazetave prestigjioze britanike.

Televizioni francez “EuroNews” ka realizuar një kronikë televizive, duke shfaqur punën dhe talentin e Pozhegut.

Edhe një televizion tjetër, ABC, nga Mbretëria e Bashkuar ka realizuar një kronikë për Alkent Pozhegun.

Pozhegu është shprehur se indicien për mozaikun e Mbretëreshës Elisabeth e mori nga një media e huaj, e cila e kontaktoi.

Krijimi i mozaikut të presidentit Donald Trump, Rita Orës dhe emrat e Lionel Messi dhe Christiano Ronaldos, kanë qenë punimet që e kanë bërë të hyjë në librin “Guinness”.

Personazhet që ai ka marrë përsipër t’i shndërrojë në vepra arti janë të fushave të ndryshme si: në fushën e artit, sportit, politikës etj.

Alkenti synon ta vazhdojë edhe më tej pasionin e tij. Në intervista të ndryshme ai do të rrëfente se komuna e tij e ka mbështetur, mirëpo shteti nuk është se ka bërë mjaftueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë