Futboll

Mourinjo përfundon te fizioterapisti, e dëmton… Kumbulla

Gazeta Si – Mourinjo bën misteriozin në fillim, pastaj zbulon atë që i ka ndodhur sot në stërvitje. Portugezi ka përfunduar te fizioterapisti dhe fajin e ka Marash Kumbulla, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.

Pas shkelmit të presupozuar nga Alegri, që ndezi finalen Juventus-Inter në Kupën e Italisë, një tjetër “shkelm” ka ‘ndezur’ rrjetet sociale. Dhe sidomos tifozët e Romës në këto orë.

Zhoze Mourinjo, trajneri i Romës. Gazeta Si, 13 maj 2022

Bëhet fjalë për një goditje që ka marrë trajneri Zhoze Mourinjo. Prtugezi ka publikuar në fakt një video në profilin e tij në Instagram, teksa bën fizioterapi.

Një video, që Mourinjo e shoqëron me fjalinë: “Nëse më shikoni duke çaluar, duhet ta dini se një lojtar më ka dhënë një shkelm. I fillon emri me ‘K’. Është Karsdorp, apo Kumbulla?”

Misteri është zbuluar menjëherë nga vetë trajneri i Romës, sërish me një postim ironik në Instagram. “Pasi Karsdorp u bë viktimë e sulmeve në rrjetet sociale, duhet të postoj foton dhe të them se fajtori është Kumbulla”.

‘Special One’ ka publikuar foton e incidentit të lehtë në fushën e stërvitjes, ku ai ka pasur një përplasje me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Mourinjo dhe Kumbulla do të jenë mysafirë në Tiranë më 25 maj, në finale e Ligës së Konferencës.

Trajneri i njohur ka vlerësim për mbrojtësin kuqezi, edhe pse nuk e ka aktivizuar rregullisht. Mourinjo e konsideron Kumbullën një profesionist të vërtetë, por vështirë se do ta aktivizojë nga minuta e parë më 25 maj.

Roma dhe Fejnordi do të ndeshen në finale e Ligës së Konferencës në “Air Albania” dhe kuptohet që tifozët shqiptarë do të bëjnë tifo për skuadrën italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë