Futboll

Mourinjo i ka fituar të gjitha finalet, tani do trofeun në Tiranë

Gazeta Si - "Duhet të mendojmë vetëm për finalen dhe jo për historinë e Romës". Zhoze Mourinjo ka folur për UEFA-n në lidhje me finalen e Ligës së Konferencës në Tiranë. Ai mundohet të ulë tensionin para sfidës të së mërkurës.

"Duhet të harrojmë faktin se mund të fitojmë trofeun tonë të parë europian. Për mua, duhet ta trajtosh një finale si një ndeshje teke që mbart presion, tension dhe sens përgjegjësie.

Duhet vetëm të mendojmë për finalen dhe kundërshtarin që kemi përballë. Ta harrojmë historinë e Romës. Pastaj natyrisht do të ishte e mrekullueshme të fitonim për qytetin, klubin dhe të gjithë ne”, - ka thënë Mourinjo.

Zoze Mourinjo. Gazeta Si, 22 maj 2022

Trajneri portugez i ka fituar të gjitha finalet në karrierë dhe për këtë e konsideron veten me fat. Mourinjo thekson se në finalen e Tiranës do të jetë thelbësore sjellja e lojtarëve në fushë.

"Është dita e tyre, ne jemi aty për të dhënë një ndihmë të vogël. Kam qenë me fat deri tani, sepse i kam fituar të gjitha finalet europiane. Lojtarët e mi kanë dhënë më të mirën në finalet që kemi luajtur. Në momentin e së vërtetës, kanë qenë gati” – ka shtuar trajneri i Romës.

Mourinjo shprehet se sheh përgjegjësi në skuadër për këtë finale delikate: "Jam një trajner me histori dhe Roma është klub i madh. Kam parë përgjegjësi. Pak nga pak kemi realizuar ambicjet tona.

Pastaj me krenari kemi parë që dy gjysmëfinalet janë luajtur me stadium të mbushura, me gati 170.000 tifozë në total. Liga e Konferencës është Championsi ynë. Roma nuk luan një ndeshje të tillë prej shumë vitesh".

Roma feston një gol. Gazeta Si, 22 maj 2022

Në fund, Mourinjo ka dhënë një mendim dhe për Fejnordin: "Kanë kaluar kundërshtarë të vështirë, si ne. Kanë eliminuar Olimpikun e Marsejës, ekip me histori dhe stadium të vështirë për të luajtur.

Vetëm mund të vlerësosh meritat e tyre. Finalet janë 50-50, por do të japim më të mirën për ta çuar në 51-49 për ne. Kjo duhet të ndodhë gjatë ndeshjes, jo më parë".

Mourinjo dhe Kumbulla duan trofeun e Ligës së Konferencës në Tiranë. Shqiptarët do të jenë në anën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë