Ekspozite

“Motive Tiranase”, kryeqyteti në periferi

Magjia e traditës së vjetër të kryeqytetit, e cila gjendet në zonat periferike siç mund të jenë Baldushku, Petrela, Farka, Dajti apo edhe zona të tjera, tashmë i gjen të gjitha së bashku në Muzeun Historik.

Piktori Zaim Elezi në këtë 100-vjetor të Tiranës si kryeqytet ka sjellë në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “Motive tiranase”.

Duke përdorur pothuajse të gjitha gjinitë që nga kompozimi, portreti dhe natyra e qetë, piktori Elezi na pasqyron një realitet që nuk shikohet në jetën e përditshme afër qendrave, peizazhe natyrore që të qetësojnë teksa i shikon.

Ai ka ravijëzuar në tablo pika periferike mjaft të bukura dhe interesante. Dasmat, shtëpitë karakteristike apo dhe veshjet, të cilat mbartin në vetvete një të shkuar, na afrojnë në një botë plot ngjyra dhe intime.

Piktori thotë për Gazetën Si se ekspozita vjen me këtë titull pikërisht për 100-vjetorin e shpalljes kryeqytet.

“’Motive të Tiranës’ ky titull i ekspozitës sime, lidhet ngushtësisht me jetën artistike që unë bëj, kryesisht në Tiranë, lidhet edhe me respektin dhe dashurinë që unë dhe gjithë dibranër gëzojmë për Tiranën. E Tirana ka 100 vjetorin e shpalljes kryeqytet ndaj, doja t’ia uroja festën me një ekspozitë”, ndërsa shton se nuk ishte karantina që nxiti këtë ekspozitë, por që ka qenë një periudhë shumë e zënë me punë.

Piktori Zaim Elezi

Artisti Elezi shton se cdo ekspozitë është një festë dhe cdo artist kur merr vlerësimin e shikuesve merr dhe një lloj shpërblimi shpirtëror, që në thelb është edhe pritshmëria e një pune.

“Çdo ekspozitë është një festë, një takim për t’iu treguar miqve dhe admiruesve, se çka ndodhur që nga ekspozita e fundit. Sot si pasojë e rrjeteve sociale, unë komunikoj vazhdimisht me miqtë e admiruesit e artit tim por, kontakti i drejtpërdrejt me veprën është krejt tjetër, i pangjashëm me sado fotografi të mira që mund ti bësh veprës, të gjitha janë larg origjinalit, më konkretisht, kontakti i drejtpërdrejt është domosdoshmëri për të shijuar në maksimum vlerat e një vepre. Në këmbim merr vlerësimet nga shikuesit dhe miqtë, një lloj shpërblimi shpirtëror të nevojshëm dhe të natyrshëm. Kjo ishte pritshmëria e ekspozitës”, thotë piktori Elezi për Gazetën “Si”.

Sa i përket periudhës së vështirë në të cilën ndodhemi, Elezi thotë se “është e vështirë për artin pamor, por gjithsesi arti nuk ka lidhje as me pandeminë dhe as me ekonominë, ai është produkt i shpirtit, një lloj virusi që i merr jetën artistit për t’ia dhënë shoqërisë, në formën më të bukur, më të magjishme me ART”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë