Ka ndodhur

Moti i keq, ulet sipërfaqja e përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë

Gazeta Si - Sipërfaqja totale e përmbytur në Bashkinë e Shkodrës është tkurrur krahasuar nga një ditë më parë me 80 hektarë. Aktualisht vijon të jetë nën ujë një sipërfaqe prej 1320 hektarësh.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit vijon të jetë 1300 hektarë sipërfaqja e përmbytur. Në rrugën e Obotit ka prezencë uji në nivelin 75 centimetra dhe nuk ka ndryshuar krahasuar me dje.

Në Obot ka prezencë uji në oborre në 15 banesa. Aktualisht atje operon një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë. Ndërkohë në Njësinë Administrative Dajç ka mbetur e përmbytur një sipërfaqe me 20 hektarë.

Në territorin e Qarkut Lezhë, nuk ka pasur reshje shiu dhe situata është normalizuar, me përjashtim të ish kënetës së Torovicës. Nuk rapoportohet për sipërfaqe të përmbytura të tokave apo akse të bllokuara.

Në qarkun e Korçës ka pasur reshje shiu të martën pasdite dhe kryesisht natën dhe në lartësitë mbi 1300 m ka rënë dëborë, por pa krijuar problematika.

Kontraktorët kanë monitoruar akset kryesore nacionale dhe ato turistike duke kriposur e mirëmbajtur. Për rrjedhojë ato kanë qenë plotësisht të kalueshme dhe pa probleme.

Edhe rrugët dytësore dhe ato lidhëse në bashki janë të kalueshme dhe pa problematika, sipas informacionit të marrë nga strukturat e EC të bashkive. Edhe segmenti Shtyllë-Panarit vazhdon të jetë e hapur.

Për drejtuesit e automjeteve, përsëri rekomandohet përdorimi i pajisjeve dimërore në segmentin Boboshticë-Dardhë.

Reshjet kanë qenë me intensitet të ulët për rrjedhojë niveli i lumenjve dhe i degëve të tyre furnizuese, mbetet në kuota normale. Nuk kemi ndonjë problem të raportuar në furnizimin me energji elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë