Ngjarje

“I tha mos më vrit se kam fëmijë”! Dëshmia e dyshimtë e të miturit për vrasjen e Endri Mustafës

Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg 15-vjeçarin, E. M., i akuzuar si personi që ka nxjerrë në pritë Endri Mustafën mbrëmjen e 15 majit 2021.

Seanca është zhvilluar me praninë e një psikologu dhe avokatit mbrojtës, që kërkoi një masë lehtësuese për shkak të moshës.

Vetë 15-vjeçari nuk ka pranuar që të japë deklaratë në sallën e gjyqit. Ai është dërguar në burgun e Kavajës, në seksionin e të miturve.

LEXO EDHE:
- U prangos për vrasjen e Endri Mustafës, lihet në burg vetëm për kanabisin
- Çfarë po ndodh në Shkodër? Nga Ibrahim Liçi tek Bajrat dhe një grua që i shfajëson të gjithë

Megjithatë, dëshmia e tij para oficerëve të policisë gjyqësore në lidhje me ekzekutimin e Mustafës, ka qenë tronditëse. I mituri ka deklaruar edhe një herë se autori i krimit, të ndodhur zonën e Livadheve në 17 maj është Ibrahim Liçi.

Adoleshenti ka treguar se me viktimën kanë folur për çështje kanabisi dhe se e kishin lënë për të shkuar në Livadhe tek “Gropat e ekskavatorit”, ku i kishte thënë se kishte kultivuar lëndën narkotike.

“Endri më ka thënë se do të më ndihmonte ai që ta merrnim e ta çonin te shtëpia ime për ta tharë". Ata janë nisur nga banesa e tyre rreth orës 21.30 ose 22.00. E., i ka dërguar në Instagram një foto kali, si kod që Endri të dilte jashtë për t’u nisur në Livadhe.

Pasi janë takuar pas banesës së Endrit, janë nisur në këmbë drejt livadhit, duke kaluar rrugën e Byepass-it dhe pasi kanë shkuar diku afër, janë kthyer djathtas për të dalë në një vend tjetër të quajtur "Gropat e ekskavatorit", ku E., i kishte thënë se ka hashashin.

Ibrahim Liçi, i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër

Pikërisht në këtë kohë, ka dalë para Ibrahim Liçi me armë në dorë, duke qëlluar direkt mbi Endri Mustafën, i cili është shtrirë në tokë duke i thënë: "Aman mos më vrit, pash Zotin, se kam fëmijë".

Por sipas dokumentit të policisë gjyqësore, që i referohet dëshmisë së të miturit, Liçi e ka qëlluar përsëri, madje edhe në fytyrë, duke i thënë: “Qofsh i Xhenetit".

Pas kësaj, Ibrahim Liçi është larguar me një motor nga vendi i ngjarjes, ndërsa i mituri ka thënë se ka ikur me vrap për në shtëpi.

Ndërsa personi tjetër i vënë në pranga, Edison Arrazi, i dyshuar se kishte dijeni për ngjarjen, do të gjykohet vetëm për sasinë e kanabisit të sekuestruar në një magazinë pranë banesës së tij.

Endri Mustafa u gjet i vdekur me 6 plumba në trup më 17 maj, në zonë e Livadheve të Shkodrës. Si autor të dyshuar të ngjarjes policia ka shpallur në kërkim Ibrahim Liçin, ndërsa është arrestuar 15-vjeçari E.M., i akuzuar si bashkëpunëtor i tij.

Një ditë pas vrasjes, bashkëshortja e viktimës, ka mohuar që vrasja e të shoqit të jetë bërë nga fisi i Liçajve dhe Bajrave, të cilët janë në konflikt disa vjeçar mes tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë