Ekonomi

Moody’s mban vlerësimin B1 për Shqipërinë, shqetësim mbeten PPP-të dhe euroizimi

Moody’s e vlerëson profilin makroekonomik të Shqipërisë B1 të qendrueshëm, por thekson se është e kufizuar nga fuqia ekonomike "ba3" e vendit që pasqyron një ekonomi të vogël të ekspozuar ndaj rrezikut mjedisor, me një shkallë diversifikimi relativisht të ulët në krahasim me vendet e rajonit me të njëjtën strukturë ekonomike dhe një seri sfidash strukturore. Institucionet e vendit dhe qeverisjen Moody’s i vlerëson "ba2", duke nënvizuar hapat e qeverisë për të ndjekur anëtarësimin në BE për të adresuar dobësitë e vazhdueshme në fushën e sundimit të ligjit dhe kontrollit të korrupsionit; aktivitetin tatimor e vlerëson "b1", duke marrë parasysh barrën e lartë të borxhit publik dhe detyrimeve të mundshme që rrjedhin nga sektori i energjisë dhe një varësi e madhe nga financimet jashtë bilancit, në formën e partneriteteve publike-private (PPP) për të rritur investimet; dhe ndjeshmëria  ndaj rrezikut të ngjarjeve, e nxitur nga rreziku i sektorit bankar për shkak të shkallës së lartë të euroizimit dhe cilësisë së dobët të aseteve të sektorit vlerësohet “ba”.

Ndërsa Ministria e Financave në deklaratën e saj lidhur me vlerësimin e institucionit ndërkombëtar thotë se “Pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, ekonomia shqiptare vijon të vlerësohet qendrueshëm në tregjet ndërkombëtare.Vlerësimi i qëndrueshëm, thekson me pozitivitet dhe me renditjen më të lartë ndër indikatorët, ecurinë e institucioneve dhe qeverisjen e vendit. Moody’s sjell në vëmendje të investitorëve veçanërisht angazhimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, angazhim i konfirmuar edhe nga Këshilli i Bashkimit Europian në muajin Mars të këtij viti.”

Financat thonë se përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për të reduktuar borxhin publik dhe deficitin buxhetor do të vijojnë në koordinim me institucionet ndërkombëtare, për të siguruar konsolidmin fiskal të financave publike shqiptare, menjëherë pas përballimit të situatës së pandemisë.

Për Ministrinë, diversifikimi i ekonomisë dhe burimeve energjetike po vazhdon përmes projekteve novatore në sektor, duke reduktuar varësinë nga burimet ujore.

“Paketat e Qeverisë i kanë shërbyer lehtësimit të barrës së biznesit në vend dhe kanë mbështetur qytetarët në këto muaj të pandemisë. Nismat e fundit të Qeverisë do të lehtësojnë klimën e të bërit biznes dhe do të nxisin formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë. Qeveria Shqiptare po angazhohet, të adresojë nevojat e qytetarëve për një rimëkëmbje të ekonomisë, përmes propozimeve në Aktin Normativ të Buxhetit të miratuar këtë javë, ndërkohë që Reforma në Drejtësi nuk ka rreshtuar së qënuri prioritet qeverisës”- përfundon deklarata e ministrisë në lidhje me vlerësimin e Moody’s.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë