Ekonomi

Moody`s: “Kujdes me politikat fiskale, mund të ketë zhvlerësim”

Moody`s është e para ndër 3 agjencitë kryesore të vlerësimit të kreditit që vlerëson ekonominë shqiptare në kuadër të pandemisë. “Scan Intelligence Unit” ka siguruar raportin më të fundit të agjencisë për ecurinë e ekonomisë tonë. Agjencia vlerëson një kontraktim të ekonomisë shqiptare në masën 7.1% këtë vit, ndërkohë që për vitin e ardhshëm flet për 5% rritje.

Ndërkaq, sa i përket performancës fiskale, Moody`s sqaron se, në situatën aktuale, pra me pandeminë që ka goditur financat publike, një zhvlerësim i notës së borxhit sovran të vendit tonë mund të vijë në rast se kontretizohen disa kushte, si: politikat fiskale më pak të kujdesshme, rritja e detyrimeve të prapambetura, trajektorja  borxhit publik, por edhe angazhimi i dobët politik në implementimin e reformave ekonomike strukturore.

Sa i përket borxhit publik, Moody`s parashikon një normë në 80.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, lehtë më optimiste se projeksioni i Bankës Botërore apo edhe i vetë qeverisë shqiptare.

“Shqipëria është prekur në mënyrë të ndjeshme nga pandemia, si pasojë e masave kufizuese të brendshme si dhe impaktit në tregti dhe remitanca.

`Shock-u` është theksuar edhe më shumë nga lidhjet e ngushta tregtare dhe financiare me Italinë. Shqipëria është gjithashtu shumë e varur nga sektori i turizmit. Ndër të tjera, pandemia e goditi vendin atëherë kur po rimëkëmbej nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar”-thotë Moody`s mes rreshtave për ekonominë shqiptare.

“Ne projektojmë që defiçiti fiskal të prekë 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, por konsolidimi fiskal do të rinisë vitin e ardhshëm  me defiçitin që do të zbresë në 4% të PBB-së”-shton agjencia sa i përket financave publike.

Nota e borxhit sovran të vendit tonë mbetet e pandryshuar në “B1 me perspektivë të qendrueshme”, pavarësisht dy krizave të njëpasnjëshme që kanë goditur vendin. Agjencia shton se, gjasat për një rritje të notës në kushtet aktuale janë mjaft të vogla. Nota e borxhit sovran është me mjaft rëndësi për financat e një viti pasi përcakton edhe normën e interesit për huamarrjen e qeverive të ndryshme./Burimi: Scan TV/


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë