Moment i artë për Odise Roshin, futbollistin e Kombëtares, i cili, pas golit ndaj Islandës më 10 shtator, ka shënuar edhe me klubin e tij në Rusi. Fieraku ishte titullar me Akhmat Groznin në ndeshjen me Rostovin në transfertë, e vlefshme për javën e 9-të të kampionatit rus.
Ai shënoi golin e parë të ndeshjes pas 19 minutash lojë me penallti, çka tregon edhe vlerësimin që stafi teknik ka për mesfushorin sulmues, i cili prej vitesh bën pjesë te skuadra çeçene. Roshi luajti 90 minuta, por skuadra e tij mbeti me 10 vetë dhe në fund humbi 2-1. Gjithsesi, fieraku ishte ndër më të mirët në fushë për skuadrën e tij. Tek Akhmat Grozni Roshi luan në rolin e tij natyral, atë të sulmuesit të krahut të djathtë, ku jep më të mirën, ndërsa trajneri i kuqezinjve, Edi Reja, e ka sakrifikuar në të majtë.

28-vjeçari ka filluar të marrë më shumë përgjegjësi si te klubi i tij, ashtu edhe në Kombëtare, ku tashmë është një “veteran”. Po kalon një moment mjaft të mirë dhe për ndeshjen me Turqinë do të jetë një “armë” e fortë e kuqezinjve. Fundjavën që shkoi gjetën rrugën e rrjetës edhe dy sulmuesit Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi, i pari në Spanjë dhe i dyti në Turqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.