Kombetarja

Moment i artë për Uzunin, tjetër gol vendimtar në Kroaci

Java e 16-të e kampionatit kroat të futbollit ka nisur nën shenjën e Myrto Uzunit, futbollistit beratas të Kombëtares kuqezi. Lokomotiva e Zagrebit, që mban vendin e dytë, me 30 pikë, ka barazuar në fushën e saj me Slaven Belupon. Protagonist i këtij barazimi për Lokomotivën ishte pikërisht Uzuni, i cili realizoi me kokë një gol të bukur 10 minuta para fundit të ndeshjes, duke i dhënë një pikë skuadrës së tij.

Ky është goli i dytë radhazi dhe i katërti në kampionat për mesfushorin e avancuar shqiptar, që po kalon një moment shumë të mirë në Kroaci. Jo më kot trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, jo vetëm që e grumbulloi në ekip, por i ka besuar një fanellë titullari në ndeshjet e fundit. Lojën e Uzunit e kanë vlerësuar së tepërmi shtypi kroat, drejtuesit dhe shokët e skuadrës së tij.

Uzuni feston një gol me shokët e ekipit

Me këtë formë që po tregon, me siguri Uzuni do të kalojë shumë shpejt në një skuadër më të mirë europiane. Kroacia do të shërbejë si një trampolinë për beratasin e talentuar, që spikati me Apoloninë dhe Laçin në kampionatin shqiptar. Ai është ndër lojtarët më në formë të Kombëtares dhe shumë i rëndësishëm për Lokomotivën e Zagrebit, ku janë të lumtur që kanë marrë një talent të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë