Kombetarja

Moment i artë për Mario Mitajn, talenti kuqezi shkëlqen tek AEK-u

Fundjava që shkoi ishte përgjithësisht pozitive për legjionarët kuqezi. Përveç golave të Manajt dhe Memushajt, apo dhe aktivizimit si titullarë të Kumbullës dhe Gjimshitit, mund të evidentohet momenti i mirë për 17-vjeçarin Mario Mitaj në kampionatin grek.

Mëngjarashi shkodran ishte titullar në formacionin e AEK-ut, që fitoi 3-4 në fushën e Smirnit, ndërsa futbollisti shqiptar ishte ai që “gatoi” dy nga golat e ekipit të tij. Mitaj dha asiste për të dy golat e Ansarifad. Trajneri italian, Karrera, e pëlqen shumë talentin kuqezi, jo më kot e ka grumbulluar me ekipin e parë në moshë të vogël. Ai e aktivizoi nga minuta e parë edhe në Ligën e Europës ndaj Leiçesterit, ku paraqitja e Mitajt u vlerësua pozitivisht.

Mario Mitaj ndaj Leiçesterit. Gazeta Si, 14 dhjetor 2020

Mitaj, kapiten i Kombëtares U-17, së fundi është grumbulluar nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi, i cili e aktivizoi titullar ndaj Anglisë, në ndeshjen e fundit në grup. Nuk ka asnjë dyshim që lojtarin që luan në linjën e majtë e pret një ardhme e madhe. Ai bën pjesë në një nga klubet më me emër në Greqi dhe nuk do të jetë e largët dita për t’u bërë pjesë edhe e Kombëtares së madhe.

Interesant është fakti se Mario Mitaj, duke pasur parasysh skemën e lojës së trajnerit Reja, 3-5-2, është lojtari adapt për krahun e majtë. Ai është një mbrojtës tipik nga ata që pëlqejnë të avancojnë dhe të krosojnë në zonë. Trajneri italian ka treguar se u beson të rinjve dhe nuk do të ishte çudi ta grumbullonte Mitajn për eliminatoret e Botërorit. Mund të konsulohet edhe me patriotin e tij tek AEK-u, Karrera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë