Atletike

Mo Farah njofton tërheqjen, në shtator gara e fundit e një kampioni të madh

Gazeta Si – Atleti britanik, dy herë fitues i medaljes së artë olimpike dhe tri herë kampion bote, ka bërë me dije se do të tërhiqet në shtator.

Mo Farah është gati të thotë ‘mjaft’, duke varur përfundimsiht ‘këpucët në gozhdë’, pas një karriere të jashtëzakonshme, të mbushur me suksese. Ai ka njoftuar tërheqjen nga kompeticionet sportive, duke lënë takim në Great North Run të 11 shtatorit 2023, kur për herë të fundit do të vrapojë mes Newcastle dhe South Shields.

Mo Farah tregon medaljet e fituara. Gazeta Si, 24 prill 2023

Një tërheqje e shtyrë kjo për 40-vjeçarin, që më parë ishte shprehur se gara e Londrës fundjavën e kaluar do të ishte e fundit në karrierën e tij.

Një reflektim? Jo, vetëm një mënyrë për t’u përgatitur më mirë për lamtumirën nga sporti, ku u shpall kampion olimpik në 5000 metra dhe në 10000 metra në Londër 2012 dhe Rio 2016, në një garë që përfshin mijëra pjesëmarrës në Britaninë e Madhe.

Tri herë kampion bote në 5000 dhe 10000 metra, atleti britanik me origjinë nga Somalia, për BBC ka thënë: "Do të më mungojë ajo ndjenjë, jam shumë i emocionuar sot. Great North Run do të jetë gara ime e fundit, lamtumira ime nga atletika.

Karriera ime ka qenë e pabesueshme, gruaja dhe fëmijët më kanë shoqëruar në këtë udhëtim dhe tani dua t’ua kushtoj atyre kohën time. Dua gjithashtu të jem i përfshirë në sportin e bazës dhe të jap gjithçka për këtë disiplinë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë