Sociale

Mjekët e Durrësit, protestë: Rama të na japë shpërblimin

Mjekët dhe personeli mjekësor i Durrësit që kanë shërbyer në inspektoratin e higjienës gjatë periudhës së pandemisë kanë dalë në protestë. Ata kërkojnë pagën e shpërblimit të premtuar nga kryeministri Rama në masën 1000 euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët dhe personelin ndihmës, pasi janë përballur me persona të prekur nga Covid-19.

Kreu i konfederatës së mjekëve në Qarkun e Durrësit, Zija Alhysa, shprehet se kryeministri duhet të mbajë fjalën pasi personeli ynë ka qenë në ballë të kësaj pandemie.

“Këtu nuk kanë marrë ata që duhet, por ata që duan drejtuesit. Drejtoresha nuk na jep as listën kush ka marrë. Në vijën kufitare kam qenë nga 29 janari, bashkë me shokët e mi. Asnjë nga vija e parë në det nuk ka marrë, ka ardhur një urdhër nga ministria, nuk ka emra. Këta nuk e pranojnë. Një urdhër tjetër nuk ka asnjë zbatim nga drejtoresha jonë. Është vetëm për fotografi”, është shprehur Alhysa.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe mjeku Nestor Memsuri i cili thekson se janë shumë persona që janë marrë me gjurmimin e çdo rasti pozitiv duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjarëve.

“Kemi dalë për mosorganizimin e punës siç duhet. Mos respektimin e etikës, ashtu siç duhet dhe mos vlerësimin e punës sonë. Që nga puna që kemi bërë një faleminderit nuk është thënë, nuk është vetëm pjesa e pagesës, është një e tërë”, është shprehur ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë