Sociale

Mjekësia mbyll vitin, studentët provimet me shkrim ose online

Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, në kuadër të kërkesës dhe domosdoshmërisë së zhvillimit të sezonit të verës të provimeve në kushtet e pandemisë apo pas pandemisë, ka vendosur që provimet të zhvillohen me shkrim duke ruajtur distancën ose në formën online. Ky fakultet ka vendosur që viti akademik të quhet i mbyllur dhe sezoni i provimeve të realizohet online ose me shkrim.

1. Leksionet dhe seminaret e lëndëve/moduleve, sipas planeve mësimore të programeve të ciklit të parë, të integruar të ciklit të dytë dhe të ciklit të dytë të zhvilluara nëpërmjet platformave online, konsiderohen detyrime të kryera nga pedagogët dhe studentët.

2. Laboratorët dhe praktikat lëndore/klinike/mësimore që janë zhvilluar në masën jo më pak 50% e tyre, detyrime të kryera për lëndën/programin përkatës. Orët e laboratorëve dhe praktikave lëndore/klinike/mësimore që janë kryer nën masën 50%, të realizohen seancat e prapambetura në mënyrë të përqendruar duke respektuar distancimin social (fizik), në kohën e lejuar nga Ministria përgjegjëse për shëndetësinë.

3. Studentët ruajnë të drejtën e frekuentimit vullnetar (me dëshirë) të seancave të prapambetura në vitin e ardhshëm akademik, së bashku me grupet mësimore të rregullta.

4. Provimet zhvillohen në përfundim të proceseve mësimore (pas datës 23 qershor). Forma e zhvillimit të provimeve është me shkrim ose në distancë.

Sipas dekanatit, studentët kanë të drejtë të marrin pjesë në provim vetëm në një nga datat e caktuara nga departamenti dhe ata që nuk do të munden të marrin pjesë në provim në asnjë nga datat e këtij sezoni, ruajnë të drejtën e frekuentimit me dëshirë të seancave të prapambetura më vitin e ardhshëm me grupet e rregullta mësimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë