Politike

Mitsotakis kërkesë Ramës: Zgjidheni menjëherë çështjen e Belerit

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis gjatë qëndrimit në Lituani ku po mbahet Samiti dy ditor i NATO-s.

Mediat greke raportojnë se Mitsotakis nuk është tërhequr nga çështja Beleri dhe se ajo duhet zgjidhur menjëherë.

Sipas burimeve qeveritare greke, kryeministri theksoi nevojën për zgjidhjen e menjëhershme të çështjes, duke theksuar se në Shqipëri ka një pikëpyetje të madhe të shtetit të së drejtës.

Në fund të fundit, ky element është një nga kriteret e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, tha Mitsotakis sipas mediave greke

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro. Aktualisht kjo bashki drejtohet nga kryetari i këshillit bashkiak, ndërsa Beleri ndodhet ende në masë arresti me burg.

Qeveria shqiptare është shprehur se cështja Beleri nuk është një cështje e saj, por e drejtësisë, ndaj dhe nuk i takon asaj që të marrë vendime në këtë rast


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë