Opinion

Miti i negociatave

Mentor Kasa - Sizifi, mbreti dinak e mizor i Korinthit, sipas mitologjisë greke u ndëshkua nga perënditë që të ngjiste përjetësisht një gur në mal. Sa herë që ai i afrohej majës, forca që Sizifi nuk i kuptonte dot, e rrokullisnin atë sërish në fund. Albert Kamy, në veprën e 1942-shit “Miti i Sizifit” e përfytyron Sizifin një personazh çuditërisht të qeshur, që kishte përqafuar fatin e vet, pa e vrarë mendjen për të shkuarën, apo të ardhmen. Pra, në këndvështrimin e Kamysë, Sizifi është simboli i qeshur dhe i lumtur i punëve të kota.

Me përpjekjet titanike sizifiane ngjasojnë fort përpjekjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, ku duket se prej vitesh, ose këtu po bëhen punë të kota, ose forca që nuk i kuptojmë na e rrokullisin gurin e integrimit sërish në fund, për t'ja nisur edhe njëherë nga e para, por me kushte të reja.

Në 2010, një vit pasi Sali Berisha i dorëzoi Presidencës Çeke në Pragë aplikimin për t’u bërë pjesë e BE-së. Komisioni Europian doli me një vlerësim paraprak, duke vendosur 12 kushte për t’u plotësuar para se të kalohej në etapën tjetër, që ishte marrja e statusit të vendit kandidat.

Thelbi i kushteve ishte ndërtimi i një sistemi ligjor të drejtë dhe të pavarur, ku përfshihej edhe një formulë më e pavarur e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, reforma në administratën shtetërore, mbrojtja e të drejtave të njeriut, ekonomia e lirë dhe reformat strukturore që duhet të fillonin për ta bërë ekonominë tonë mjaftueshëm konkurruese përballë ekonomive të tjera të BE-së dhe në fund standardet e zgjedhjeve.

Zgjedhjet vendore të 2011 dhe sidomos mënyra sesi u krye procesi i numërimit në Tiranë dhe qëndrimet e vendimet e KQZ-së nuk ndihmuan që të merrej statusi kandidat. Lufta e ashpër politike zvarriti miratimin e disa ligjeve dhe reformave që kërkonin shumicë të theksuar në Parlament, ndaj marrja e statusit kandidat mbërriti vetëm në qershor të 2014.

Për hapjen e negociatave në 2016, kërkesat e BE u bënë më specifike. Kryekushti i vendosur ishte reforma në drejtësi. Reforma u miratua në 2016 dhe në raportin e Komisionit të atij viti, mes pesë kushteve të vendosura ishte edhe ai i progresit domethënës dhe të qëndrueshëm në zbatimin e reformës.

Në thelb të njëjtin mesazh patën edhe dy raportet e tjera pasaardhëse, që u shoqëruan edhe me rakomandimin për hapjen e negociatave, deri në vendimmarrjen e qershorit 2018, kur Këshilli shtyu për në 2019 hapjen e tyre, por pa vendosur kushte shtesë nga ato që ishin shqiptuar më herët.

Qershori u shmang për shkak të zgjedhjeve delikate për Parlamentin Europian, ku zgjerimi nuk konsiderohej më një kartë që shtonte mbështetësit dhe elektoratin, por përkundrazi. Ndaj, vendimmarrja u shty për në tetor. Orientimi se nga do të anojë vendimmarrja e jep Berlini. Partitë qeverisëse gjermane dolën me një rezolutë, që politikisht është pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, por nën dritën e kushteve të vendosura, thelbi i saj anon më shumë nga “Jo”-ja.

Pra, guri i Sizifit u rrokullis edhe njëherë në fund të malit të integrimit dhe në ngjitje tani bëhet edhe më i rëndë me kushte të tjera për negociatat. Në vetvete këto kushte aty kanë qenë, sa herë që BE ka kërkuar sundim të ligjit dhe një sistem drejtësie funksional dhe të pavarur. Por, kjo kërkesë, së bashku me vërejtjet e tjera për hapat e ngadaltë të reformës në drejtësi, ose nuk është kuptuar, ose është bërë sikur nuk është kuptuar nga politika shqiptare.

Për të shmangur që kjo të përsëritet në të ardhmen, gjermanët kanë dalë me kërkesa më konkrete. Dy janë kushtet që vendosin ata para se të ketë një datë për hapjen zyrtare të negociatave. Kushti i parë është rikthimi në funksion i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe kushti i dytë reforma zgjedhore.

Në vetvete, kushti i parë, ai për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë na rikthen 9 vite pas në kohë. Në raportin e 2010, Komisioni caktonte si detyrë në atë kohë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së anëtarëve në këto dy gjykata, për të mos u emëruar në këto dy trupa njerëz të sponsorizuar nga politika.

Ironikisht, ky kusht i gjermanëve buroi nga reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut, të vlerësuara nga Brukseli dhe dy pikat e forta ku mbështetet qeveria shqiptare për të kërkuar hapjen e negociatave. Por, më shumë se faji i reformës në drejtësi, apo i vettingut, mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sot janë produkt i përplasjeve të politikës, po ajo politikë që ja doli mbanë që të vendosë për herë të parë tek kushtet për hapjen e negociatave reformën zgjedhore.

Përgjegjësia kryesore bie mbi politikën shqiptare, por ka edhe nga ata që fajin e gjejnë tek Brukseli.

“Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkëekzistencë europiane” – deklaroi deputeti i të Gjelbërve në Bundestag, Manuel Sarrazin në një intervistë për DW.

A u hapën apo jo negociatat?

Ka nja 2-3 ditë që shqiptarët po pyesin veten. Përgjigjia u vështirësohet nga interpretimi krejt i kundërt që dy kahet e politikës i bëjnë vendimit të Bundestagut gjerman. Aq pështjellim u shkaktua në Tiranë, saqë u desh ndërhyrja e CDU/CSU, partive qeverisëse gjermane që të sqaronin thelbin e vendimit të marrë prej tyre.

Sqarimi ishte më i drejtpërdrejtë sesa leximi që iu bë rezolutës, që në Tiranë nga Qeveria u interpretua si gotë gjysmë plotë, ndërsa nga opozita gotë gjysmë bosh. E vërteta duket se qëndron diku në mes. Politikisht, negociatat u hapën. Pra, politikisht CDU/CSU ka vendosur për hapjen e tyre. Por, në thelb negociatat nuk u hapën.

Bundestagu nuk vendos datë, por përcakton se mbledhja e parë ndërqeveritare të mbahet pasi të jenë plotësuar më parë dy kushte. Pra, grupi negociator i palës shqiptare do të ketë një datë për t’u ulur përballë me negociatorët e BE-së për të shfletuar kapitujt e parë të bisedimeve, jo më parë se të jenë plotësuar dy kushtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë