Futboll

Mishel Platini lihet i lirë: Shumë zhurmë për asgjë!

Mishel Platini është lënë i lirë, pasi ishte shoqëruar nga policia në Nanterre, në Francë. Ish-presidenti i UEFA-s është marrë në pyetje në lidhje me akuzat për korrupsion dhe për ndikim në zgjedhjen e Katarit si vendi organizator i Botërorit 2022.

Platini ka dalë nga komisariati i shoqëruar nga avokati i tij. Francezi ka folur shkurt për gazetarët e pranishëm: "Shumë zhurmë për asgjë, nuk e kuptoj ende se çfarë lidhje kam unë me këtë histori”, - është shprehur ish-presidenti i UEFA-s.

Mishel Platini dhe avokati i tij

Pas lirimit të Platini, policia ka nxjerrë një njoftim zyrtar, ku shkruan: "Michel Platini, pasi është dëgjuar si dëshmitar vitin e kaluar në kuadër të të njëjtit hetim, është shoqëruar në polici për arsye teknike. Platini ka konfirmuar sërish së është totalisht jashtë fakteve. Nuk bëhet fjalë për një arrestim të tij, por thjesht për një shoqërim për t’u dëgjuar si dëshmitar, një kërkesë e hetuesve të çështjes. Është një çështje proceduriale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë