Irena Beqiraj

Mirë se vini në botën e iluzioneve të Vetë-Zhvillimit!


Nga Irena Beqiraj-Të gjithë komentuam në rrjetet sociale mbi faktin që një nga aktorët e humorit shqiptar ka vendosur të bëhet trajner i suksesit, thënë ndryshe ka vendosur të bëhet pjesë e industrisë së zhvillimit personal/ose të vetë-zhvillimit. Për kuriozitetin e lexuesit, kjo industri realizoi në vitin 2017, 9.9 miliardë dollarë shitje dhe rritja mesatare vjetore e shitjeve është 5.6% në vit.

Nuk është një risi e shekullit të 21-të, por fillon që në shekullin e 19-të me Samuel Smiles (1812-1904), i cili në vitin 1859, botoi librin e parë për zhvillimin personal me titull “Vetë-Ndihma”. Fjalia e parë e tij ishte - “Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten”. Shekulli i 20-të kishte James Allen, i cili në vitin 1902 botoi librin “Si mendon njeriu”. Një libër i vogël tek i cili proklamonte se - “një njeri është fjalë për fjalë ajo që mendon dhe karakteri i tij është shuma e plotë e të gjitha mendimeve të tij”. Disa dekada më vonë, në 1937, ishte Napoleon Hill , i cili thoshte – “përdorimi i mendimeve të përsëritura pozitive shërbejnë për të tërhequr lumturinë dhe pasurinë”. Në kohët moderne të shekullit të 21-të ka pafund tituj edhe autorë që i janë përkushtuar kësaj industrie, por ai që më së shumti më ka tërhequr vëmendjen është Dale Carnegie me librin “Si të bëjmë miq dhe të influencojmë njerëz. Disa nga librat e vetë-zhvillimit, i kam në bibliotekën personale.

Megjithëse fillesat e kësaj industrie ishin të ngadalta edhe të brishta sot guru-të ose trajnerët më në zë të vetë-zhvillimit po bëjnë miliona nga shitja e iluzioneve për dy arsye. E para, zhvillimi i infrastrukturës teknologjike ka lehtësuar kanalet e shpërndarjes dhe marketingut të produktit të tyre dhe së dyti rritja çdo ditë e më shumë e një lloji kërkese apo nevoje, e cila edhe për një çast mund edhe të përmbushet edhe me iluzione.

Por çfarë kërkese në rritje përmbushin ofertat e iluzioneve që shesin trajnerët e zhvillimit personal? Dan Ariely, në librin “Irracionalë të Parashikueshëm” na mëson këtë - “fitohen më shumë para, duke përfituar nga dobësitë e njerëzve sesa duke i ndihmuar ata”. E pra, ajo që ka nxitur një rritje kaq të madhe të shitjes të produkteve të kësaj industrie është rritja e ndjenjave të pakënaqësisë, të mosarritjeve në shoqëritë e sotme, apo edhe ambicia për arritje dhe sukses të shpejtë.

Kushdo që sot është bërë një guru apo trajner i vetë-zhvillimit pa dyshim ka veti sipërmarrëse të shkëlqyera, edhe ka kuptuar që në këtë botë çdo ditë e më shumë po rritet numri i njerëzve, të cilët janë të pakënaqur me veten, me arritjet e tyre dhe duan të ndryshojnë, duan të arrijnë suksesin. Ndërkohë ato e dinë që në një sistem kaotik vlerash i vetmi matës sasior i suksesit është paraja.

Edhe jo fare pa qëllim çdo trajner, që shet një paketë vetë-zhvillimi, sigurohet si fillim t’i shesë publikut stilin e tij të jetës edhe arritjet e tij ku matësi i vetëm i suksesit është paraja. Në këtë mënyrë rritet entuziazmi i turmës se çelësat e suksesit janë te dera e trajnimit të tij. Në librat e vetë-zhvillimit që kam lexuar, nuk mungojë historitë me njerëz, të cilët kanë qenë në pozita të vështira, të pakënaqur, të paarrirë, të njerëzve që e urrenin punën e tyre, apo ka kapituj të tërë që përpiqen të të bindin që suksesi nuk ka nevojë për ndonjë aftësi të veçantë, që nuk keni nevojë të keni ndonjë përvojë pune, madje mos u çudisni kur të dëgjoni apo të lexoni që mund të hiqni dorë nga librat dhe nga puna. Në to gjendet një përzierje mjeshtërore e logjikës sipërfaqësore dhe tërheqjes emocionale.

Në fakt, ndryshimi edhe rruga drejt suksesit janë shumë të vështira. Ekzistojnë shumë pengesa në këtë rrugë, duke filluar nga bagazhi emocional i gjithsecilit te zakonet dhe mënyra e jetesës apo ekzistenca e një mjedisi që forcon status quo-në dhe është armiqësor ndaj ndryshimit. Në kundërshtim me të gjitha pohimet që kam lexuar në librat e vetë-zhvillimit, gjithkush që ka provuar të ndryshojë apo të jetë i suksesshëm ka konfirmuar që ndryshimi kërkon angazhim, kohë, energji dhe përpjekje të jashtëzakonshme. Edhe pse dikush mund të jetë në gjendje t’ju tregojë një drejtim, udhëtimin në çdo rast do të duhet ta bëni vetë.

Duke shkruar këto rreshta, ju fare çuditërisht m’u kujtua komediani i shkëlqyer George Carlin, i cili në një nga ngjitjet e tij në skenë do të tregonte “Shkova në një dyqan librash dhe pyeta shitësen, ‘Ku është stenda e librave të vetë-ndihmës ose vetë-zhvillimit? Ajo pa i ngritur sytë nga kasa m’u përgjigj - nëse do të ta tregoja, do të humbje qëllimin”.


Copyright © Gazeta “Si”