Shendet

Miratohet pilula e parë për depresionin pas lindjes në SHBA

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar pilulën e parë për depresionin pas lindjes. Ilaçi vepron më shpejt se antidepresivët e tjerë dhe përdoret vetëm për dy javë.

Zurzuvae, nga Sage Therapeutics Laboratories, është “ilaçi i parë oral që indikohet për trajtimin e depresionit pas lindjes”, tha FDA në një deklaratë.

Shoku fizik dhe psikologjik që mund të zgjasë disa muaj, depresioni pas lindjes është një “situatë e rëndë dhe potencialisht fatale gjatë së cilës gratë ndjejnë trishtim, një ndjenjë faji dhe pavlefshmërie”, kujton Tiffany Farchione, drejtuese e psikiatrisë në FDA.

Pilula merret një herë në ditë për 14 ditë.

“Qasja tek një ilaç i tillë do të ndihmojë shumë nga këto gra që përballen me luhatje të skajshme emocionesh që ndonjëherë janë kërcënuese për jetën”, tha përmes një deklarate Dr. Tiffany Farchione, drejtoresha e FDA-së për barnat psikiatrike.

Depresioni pas lindjes prek rreth 400,000 gra në vit, dhe megjithëse ai mund të largohet shpesh vetë brenda disa javësh, ai edhe mund të vazhdojë për muaj apo edhe vite me radhë.

Trajtimi standard përfshin terapi ose ilaçe kundër depresionit, të cilat mund të duan javë të tëra për dhënë efekt dhe nuk i ndihmojnë të gjithë.

Pilula e re prodhohet nga Sage Therapeutics, një kompani që ofron një ilaç të ngjashëm që jepet me injeksion për tri ditë në institucione mjekësore.

FDA e miratoi atë kurë në vitin 2019, megjithëse nuk përdoret gjerësisht për shkak të çmimit prej 34,000 dollarësh dhe vështirësive për t’u përdorur.

Miratimi i pilulës nga FDA bazohet në dy studime të kompanisë që treguan se gratë që përdorën ilaçin Zurzuvae kishin më pak shenja depresioni gjatë një periudhe prej katër deri në gjashtë javësh, krahasuar me ato që morën një placebo.

Efekti u shfaq brenda tri ditëve për shumë paciente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë