Politike

Miratohet amendamenti në Parlamentin Evropian: Të lirohet Fredi Beleri!

Nisma nga Partia Popullore Europiane dhe Eurogrupi i së Majtës në Parlamentin Europian për lirimin e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës të akuzuar për shitblerjen e votave më 14 maj mori mbështetjen e deputetëve të majtë dhe të të djathtë.

Amendamenti që kërkon lirimin e menjëhershëm të Belerit u paraqit pas paraqitjes së raportit të raportes Isabele Santos mbi Shqipëri, dhe mori 290 vota pro, ndërsa 256 votuan kundër. Kërkesa u paraqit në emër të dy grupimeve nga eurodeputeti i SYRIZA-s, Stelios Kouloglou. Propozimi u mbështet nga qëndrimet e deputetëve grekë nga të gjitha partitë. Manolis Kefalogiannis, Nikos Papandreu, Giorgos Kyrtsos dhe Emmanuel Fragos bënë ndërhyrje specifike në favor të tij.

"Parlamenti Europian shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve lokale të majit, i cili shkeli prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryetarin e zgjedhur të merrte detyrën, pasi ai mbetet i burgosur. Nënvizohet se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën e bashkisë dhe akuzat për cenim nga shteti në arsyetimin e vendimit për miratimin e ndryshimeve”, thuhet në amendamentin e eurodeputetëve grekë.

Gjithashtu, në mbledhjen Plenare, relatorja e raportit nga Parlamenti Evropian, eurodeputetja nga Portugalia, znj.Isabel Santos, tha: “Dëshiroj të përsëris shqetësimet e shprehura nga disa kolegë nga grupimet e ndryshme në lidhje me kryebashkiakun Beleri. Është një rast që po ndiqet nga organet gjyqësore të Shqipërisë dhe ne, me respektimin më të rreptë të ndarjes së pushteteve, duhet të respektojmë ato që janë vendimet e gjykatave. Megjithatë, këtu i lë garancinë time personale të gjithë kolegëve nga të gjitha grupet parlamentare se personalisht do të monitoroj zhvillimin e këtij rasti dhe do të siguroj që parimet e shtetit ligjor të respektohen me përpikëri”.

Votimi i amendamentit bëri jehonë në mediat greke.

“Kështu, sot nga Brukseli u dërgua një mesazh i qartë kumbues, se taktikat e autoriteteve shqiptare kundër minoritetit grek nuk tolerohen as nga qeveria greke dhe as nga Parlamenti Europian dhe se rruga europiane për Shqipërinë kalon përmes respektimit të rregullat e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të saj”, shkruan Prothema, që e cilëson votimin si një ndëshkim për Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë