Më 10 janar, në “Air Albania Stadium” do të luhet një ndeshje bamirësie mes ish-lojtarëve të Kombëtares së Shqipërisë dhe një seleksioni ish-lojtarësh të njohur nga Italia, Greqia dhe Turqia, ku veçohen Xhanluka Xambrota, Simone Perrota, Jorgos Karagunis dhe Hasan Shash. Të ardhurat që do të grumbullohen nga shitja e biletave do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Një nismë e kryetarit të Sindikatës së Futbollistëve në Shqipëri, Andi Lila, në bashkëpunim me FSHF-në. “Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”, – është motoja e kësaj ndeshjeje. Një nismë për t’u përshëndetur, por edhe pse është një ndeshje bamirësie, sërish ka polemika.
Ka qejfmbetje për listën e lojtarëve që më parë kanë qenë pjesë e Kombëtares dhe që do të marrin pjesë në këtë miqësore. Në listën e zbuluar nga vetë kryetari i Sindikatës së Futbollistëve, Andi Lila, bëjnë pjesë këta ish-futbollistë: Foto Strakosha, Lorik Cana, Edvin Murati, Alban Bushi, Igli Tare, Altin Lala, Besnik Hasi, Altin Rraklli, Erjon Bogdani, Arjan Beqaj, Artim Shaqiri, Klodian Duro, Ervin Bulku, Armend Dallku, Nevil Dede, Debatik Curri, Hamdi Salihi, Redi Jupi, Nderim Nexhipi dhe Adrian Aliaj. Në rolin e trajnerit do të jetë sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku, edhe ky ish-lojtar i Kombëtares.

Në listë janë përfshirë edhe dy lojtarë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Artim Shaqiri dhe Nderim Nexhipi, të cilët nuk kanë luajtur asnjëherë për Shqipërinë. Ndoshta përfshirja e tyre në listë mund të shihet si “qokë”. Përveç Vatës, me siguri ka edhe të tjerë lojtarë që nuk janë dakord me listën e legjendave kuqezi të Andi Lilës.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.