Kombetarja

Miqësoret e marsit luhen në Algjeri, provat e para të kuqezinjve për Euro 2024

Gazeta Si – Përgatitjet e kuqezinjve për Euro 2024 do të nisin në një turne miqësor, që do të zhvillohet në muajin mars në Algjeri, nga data 18 deri më 26 mars. Bëhet fjalë për një turne me 4 skuadra, ku Shqipëria është përfaqësuesja e vetme europiane dhe përveç saj dhe Algjerisë vendëse marrin pjesë edhe Afrika e Jugut dhe Bolivia.

Kuqezinjte festojne fitoren ndaj Çekise, 3-0. Gazeta Si, 30 dhjetor 2023

Pjesëmarrjen e Kombëtares shqiptare në këtë turne e ka konfirmuar presidenti i Federatës Algjeriane të Futbollit, teksa fliste për eventin dhe organizimin e tij. Në ndeshjet e marsit trajneri Silvinjo do të bëjë provat e para për Europianin.

Prova gjenerale do të jenë dy ndeshje të tjera miqësore, që kuqezinjtë do t’i luajnë në fund të majit ose fillim të qershorit, para se të shkojnë në Gjermani. Kundërshtarët për këto dy miqësore nuk janë përcaktuar ende, FSHF ka kontakte me kombëtare të ndryshme.

Në total do të jenë katër ndeshje testuese, që do ta ndihmojnë trajnerin brazilian edhe për listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar në Euro 2024.

Shqipëria bën pjesë në grup me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Ndeshja e parë e kuqezinjve është ajo me Italinë në Dortmund, në stadiumin “Signal Iduna Park’, më 15 qershor, një ditë pas startit të Europianit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë