Kombetarja

Miqësoret e marsit, edhe Turqia kandidate për t’u ndeshur me kuqezinjtë

Gazeta Si – Para se të shkojë në Europianin e Gjermanisë, Kombëtarja shqiptare do të luajë disa ndeshje miqësore, që do t’i shërbejnë trajnerit Silvinjo për të kolauduar skuadrën. Dy miqësore pritet të luhen në mars dhe ndonjë tjetër në maj.

Përveç Zvicrës, që shihet si një kundërshtar i mundshëm për testet e marsit, na skenë ka dalë edhe Turqia. Për momentin nuk ka një konfirmim nga ana e FSHF-së, sepse nuk është arritur ende një akord përfundimtar mes federatave.

Lojtaret e Kombetares festojne me tifozet pas nje ndeshjeje. Gazeta Si, 8 dhjetor 2023

Si Zvicra e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, ashtu edhe Turqia, e drejtuar nga italiani Vinçenco Montela, janë kualifikuar për në Gjermani 2024. Janë skuadra të nivelit të lartë dhe për Shqipërinë do të ishin një barometër i mirë para Europianit, ku kuqezinjtë sfidojnë emra më të mëdhenj, si Spanja, Italia dhe Kroacia.

Miqësore do të ketë edhe në muajin maj. Presidenti Duka ka thënë më parë se mund të jetë një kundërshtar nga Amerika e Jugut, por pa përmendur emër. Të tilla ndeshje testuese janë të nevojshme për çdo skuadër që merr pjesë në një kompeticion madhor si Europiani.

Kundërshtarët zgjidhen, duke iu përshtatur sa më shumë rivalëve të grupit. Tani mbetet që të zyrtarizohen emrat e skuadrave, me të cilat Kombëtarja jonë do të ndeshet fillimisht në mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë