Kombetarja

Minuta të plota, legjionarët mbrojtës i japin shpresë Edi Rejas

Ka qenë shumë e mbarë për futbollistët e kombëtares shqiptare kjo javë në kampionatet ku ata aktivizohen. Më veçanërisht në formë të shkëlqyer kanë qenë tre mbrojtës kuqezinj pretendente për tu grumbulluar në qershor. Ivan Balliu, Naser Aliji dhe Adrian Ismajili, të tre në ekipet e tyre kanë luajtur titullarë dhe kanë qenë në formë të mirë, duke dhënë një sinjal pozitiv për trajnerin Edi Reja në prag të dy ndeshjeve të qershorit.

Ivan Balliu pjesë e Metzit në Kategorinë e Dytë të futbollit francez ka luajtur për 90 minuta në ndeshjen kundër Nansi. Edhe pse Metz u mposht, kjo nuk ndikon në ngjitjen e këtij ekipi në Ligue 1, pasi tashmë e ka siguruar ngjitjen.

Formë të mirë këtë javë ka treguar edhe qendërmbrojtësi tjetër kuqezi, Ardian Ismajili. Mbrojtësi shtatlartë, pjesë e Hajdukut te Splitit ka treguar edhe këtë herë një formë shumë të mirë, duke qenë një titullar fiks te kroatët, pavarësisht moshës së tij shumë të re. Ismajli ruajti të paprekur portën e Hajdukun në ndeshjen kundër Sllaven Belupo, ku fituan 2-0.

Edhe Aliji bëri një paraqitje të mirë në Rumani. Pavarësisht se u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë, Aliji është vlerësuar me nota pozitive dhe luajti për 90 minuta të plota. Të tre mbrojtësit pritet të jenë alternativa shumë të vlefshme për trajnerin Edi Reja në ndeshjen me Islandën dhe Moldavinë në qershor, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë