Kosova

Ministrja Hajdari: Do të vendosim reciprocitet për mallrat serbe

Ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, në një konferencë pas mbledhjes së sotshme së qeverisë, tha se do të vendoset reciprociteti ndaj mallrave që vijnë nga Serbia.

“Po do të vendosim masa reciprociteti dhe janë duke u vendosur veçse. Nëse e kuptoni konceptin e reciprocitetit, ai do të thotë barazi dhe këtë do ta shtyjmë përpara. Ligji për masat antidamping, për mbrojtje nga importet, të gjitha këto kanë të bëjnë me barazi e reciprocitet. Masat e komformitetit jemi duke i zbatuar. Ju njoftoj se çka është zbatuar nga ministria për mbrojtjen e tregut. Kemi marrë vendimet për masat antidamping për t’i mbrojtur sektorët që janë të rrezikuar nga importi dhe presim se si do të na udhëzojnë analizat që jemi duke i bërë. Ne jemi akuzuar nga ministrja e Ekonomisë së Serbisë për diskriminim, por jemi duke punuar për barazi”.

Hajdari ka folur edhe për programin “Single market”. Ajo ka thënë se informacionet për programet rajonale nuk kanë ardhur me kohë dhe nuk i kanë gjetur në ministri kur e kanë marrë drejtimin e saj.

“Kosova e ka kryer obligimin e vet kur e kemi dorëzuar aplikimin, tani pritet që negocimi të përfundojë, meqë është program i përbashkët me BE-në. Anëtari i bordit të Malit të Zi më ka njoftuar se Kosova mungon dhe ne nuk kemi pas informacione për këtë. Ky program është me pjesëmarrje të 250 bizneseve së shpejti do të emërojmë përfaqësuesit e Kosovës”, ka thënë ajo.

Ditë më parë kryetari Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala tregoi se barrierat tregtare ndërmjet të dy vendeve janë rritur së fundi edhe më shumë, prandaj edhe një diskutim i tillë do të mund të shërbente në gjetjen e ndonjë zgjidhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë