Kosova

Ministri i Jashtëm çek: Kemi pritshmëri të larta për liberalizim të vizave për Kosovën

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka thënë të enjten (29 shtator) se ka pritshmëri të larta që brenda mandatit gjashtëmujor të Presidencës çeke, do të finalizohet procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidenca çeke e përfundon mandatin në krye të Bashkimit Europian më 31 dhjetor të këtij viti.

“Është një proces që përbëhet nga çështjet teknike. Bashkimi Europian do të rishikojë shumë shpejt aspektet teknike dhe unë shpresoj shumë që Presidenca çeke do të arrijë deri te një marrëveshje, dhe Kosova do të ketë liberalizim të vizave. Është shumë e vështirë të parashikojmë datën. Pritshmëritë e mia për vendimin janë shumë të larta, dhe kjo është pjesë e agjendës sime politike”, ka thënë Lipavsky në një konferencë për media në Prishtinë.

Lipavsky tha se ka kontaktuar edhe disa zyrtarë nga Holanda për këtë çështje dhe se ata janë pajtuar që të analizohen çështjet teknike dhe më pas ato politike.

Holanda dhe Franca janë dy prej vendeve anëtare të BE-së që kanë qenë skeptike për këtë proces.

Edhe presidentja Vjosa Osmani tha se procesi i liberalizimit të vizave duhet të përfundoj gjatë presidencës çeke në BE.

“Është vendimtare që ky proces të përfundojë përgjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së, për ta eliminuar këtë padrejtësi të madhe ndaj popullit të Kosovës. Republika Çeke është aleate e rëndësishme me të cilën ndajmë përkushtimin e përbashkët për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike”, ka thënë Osmani pas takimit me kryediplomatin çek.

Krahas temës së liberalizimit të vizave,Osmani ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Europian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian. 

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë