Kosova

Ministri i jashtëm britanik Cameron në Prishtinë: Do ndihmojmë Kosovën në të gjithë mënyrat që mundemi

Nga Gazeta 'Si'- Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Cameron ndodhet prej ditës së djeshme(3 janar) në Prishtinë.

Në një konferencë për media sëbashku me homologen Donika Gërvalla ai tha se ndodhet në Prishtinë për të mbështetur, promovuar dhe ndihmuar shtetin e Kosovës në të gjitha mënyrat që munden.

“Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë dhe rëndësinë e kontributin që mund të japim në këtë drejtim, duke pasur parasysh edhe rolin e madh që kemi në kuadër të KFOR-it. Ne jemi mbështetës të fuqishëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës….”, tha ndër të tjera, ministri britanik, duke shtuar se do të punojnë edhe për ndërkombëtarizmin sa më të madh të Kosovës.

Sipas tij, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe Britania e Madhe ka investuar shumë në këtë drejtim.

Cameron bëri të ditur se kanë folur edhe për trajnimin e disa pjesëtarëve të FSK-së në Britani, çështjet ekonomike, luftimin e korrupsionit, etj.

Pas konferencës Cameron zhvilloi një takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Cameron u prit ditën e djeshme nga kryeministri Albin Kurti. Ky i fundit në një postim në Twitter shkroi se ishte kënaqësi të takonte ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë.

“Kënaqësi të pres ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron në Prishtinë në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar të këtij viti. Mbretëria e Bashkuar ka qenë një aleat i vendosur dhe besnik i Republikës së Kosovës, që para krijimit të shtetit tonë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që gëzojmë”, shkroi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë