Ekspozite

Edi Ramën “e goditur” në një atentat dhe Fatos Lubonjën si protestues, siç nuk i keni parë asnjëherë

Nga Luljeta Nelallari - “Rama ishte njeri me shije dhe të përsosurën e kishte merak”. Kështu shprehet Mimoza Ahmeti për Edi Ramën lidhur me portretet e tij të veçanta që ajo ka sjellë në ekspozitën “Potence”, të çelur në hollin e Universitetit Europian.

Ahmeti thotë se Rama ka një përballje të hershme me pikturat e saj, por është disi i rezervuar duke qenë se është vetë piktor.

“Edi Rama ka pas parë vizatimet e mia dhe pikturat e fillimit. Unë isha për të një pikë takimi fryme e frymëzimi i njeherëndodhshem. Rama, sigurisht, është piktor për vete, dhe doemos pak më i rezervuar”, shprehet Ahmeti për Gazetën Si, ndërsa thekson se “poezinë time e ka dashur pa limit, deri në shqetësim. Rama ua prezantonte poezitë e mia të tjerëve, edhe të huajve. Bëhet fjalë për librin ‘Delirium’. Mbeti i pakënaqur që e titullova kështu, pasi dëshironte të titullohej ‘Nocione të shkreta’, sipas titullit të një tjetër poezie”.

Përpos fuqisë konceptuale dhe ekspresionit në vargje, Mimoza Ahmeti shfaqi të njëjtën fuqi edhe në pikturë, me ekspozitën e saj të pazakontë “Potence”. Penelit të saj nuk i kanë shpëtuar personazhet publikë si kryeministri Edi Rama, analisti Fatos Lubonja dhe botuesi Henri Çili, portretet e të cilëve janë ekspozuar. 

Kryeministrin Edi Rama ajo e sjell në dy faza, një portret është ai në vitet ’97, i cili është goditur në një atentat, në një përplasje.

Edi Rama në vitin 1997, punim i quajtur “I fundmi i ciklit të Kreshnikëve”, 

Faza tjetër në kohën kur është kryeministër, pra në fuqinë e tij absolute.

Power", Edi Rama në kohën kur është kryeministër

Ndërkohë në portrete të veçanta ajo sjell dhe Fatos Lubonjën e Henri Çilin.  

Sipas saj, Fatos Lubonja është disi i mëdyshtë për portretin që i kam bërë, pasi portreti është tepër shprehës dhe protestues.

“Fatos Lubonja ka një koleksion të mrekullueshëm të pikturave të mia. Ai e pëlqen artin tim dhe i duket një talent i pashpjegueshëm imi. Fatosi ishte pak i mëdyshtë për portretin që i kisha bërë. Ishte tepër shprehës, ambig, protestues...”, vijon ajo.

Fatos Lubonja në alter ego

Ndërkohë, për Henri Çilin ajo thotë se i pëlqen intimja, ndaj dhe u mrekullua kur pa portretin. 

“Henri ishte i tërhequr nga narracioni dhe intimja në artin tim. Atij i pëlqen të grumbullojë art, shpirtra, klimë, krijon atmosferë. U xixëllua kur pa portretin e tij nga dora ime”, vijon më tej Ahmeti për Gazetën Si.

Henri Çili

Mimoza Ahmeti thotë se këto figura i ka portretizuar ndër vite në pika të ndryshme të forcës së tyre, ndërsa ekspozitën e kërkoi vetë Universiteti. 

“Ekspozitën e kërkoi Universiteti, në kuadër të degës së re për studentët e Arteve Pamore. Frymëzimi i idesë më erdhi nga figurat që kisha portretizuar në vite, në pika të ndryshme të forcës së tyre, midis pamundësisë, mundësisë dhe pushtetit”, shprehet Mimoza Ahmeti për Gazetën “Si”, ndërsa thekson se “portretet e individëve të gjallë të shoqërisë sonë, që janë pasqyruar në këtë ekspozitë, si Rama, Lubonja, Çili, kanë lëvizur dhe vazhdojnë të lëvizin, midis Mundësisë dhe Fuqisë, midis mundësive individuale dhe Pushtetit si forcë absolute”.

“Potenca” shihet e pasqyruar dukshëm prej ngjyrave dhe linjave në këto piktura vaji. Sipas Ahmetit, pikturat janë fekonduar me idetë e raportit të Mundësisë dhe Fuqisë, pasi këto dy anë nuk ekzistojnë të ndara, të shkëputura!

Mimoza Ahmeti

Ahmeti shprehet se pikturat e saj janë vaji, por nuk mungojnë as vizatimet me laps e karbon.

“Pikturat e mia janë vaji. Penelat e mi jenë nga më të hollët deri te furça dhe spatula. Kam plot vizatime me laps dhe karbon”, shprehet Ahmeti, ndërsa thotë se “të pikturosh është një marrëdhënie e veçantë me dritën dhe format, me lëvizjet e shpirtit”.

Për të kjo periudhë pandemie ka qenë mjaft prodhuese. “Në këtë periudhë jam marrë si me poezinë, ashtu edhe me pikturën, deri në rraskapitje. Pandemia më ka lënë shtatzënë me art, dije, filozofi, poezi, pikturë dhe arratisje imagjinatave që nuk ndodhin dot në periudha konstante”, vijon Ahmeti, ndërsa thotë se “kam në plan edhe një ekspozitë tjetër, që titullohet ‘Kateksi’”.

Në fund, ajo falënderon edhe eksperten e artit, Suzana Varvarica, Dr. Ermir Nikën, si dhe pedagogun Edi Vlushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë