Libra

Mimoza Ahmeti nuk ishte kjo që është tani

Moza Ahmeti nuk ishte kjo që është tani. Këtë e pohon vetë ajo,  ndërsa mundohet të gjejë një përgjigje sesi ishin vitet ’90, për një poete në Shqipëri. “Është shumë interesante, që duhet të mbash cilësitë e atij njeriu që ke qenë 20 apo 30 vite përpara apo edhe fajet e atij personi”, rrëfen ajo e ftuar në një bisedë mbi letërsinë në mjediset e instalacionit “Reja”, me gazetaren Alda Bardhyli. Vetëdija dhe psikja, vijon më tej Ahmeti në arsyetimin e saj, nuk mundet të jetë e njëjta, atëherë dhe tani. “Një nga vështirësitë e mëdha që ka një shkrimtar dhe, unë e ndiej këtë, është se duhet të japë  llogari për libra që i ka shkruar 10 apo 15 vite më parë. Kur personaliteti i tij dhe shoqëria ka ndryshuar ai duhet  të përgjigjet, sikur i ka shkruar tani.”

“Është shumë interesante, që duhet të mbash cilësitë e atij njeriu që ke qenë 20 apo 30 vite përpara apo edhe fajet e atij personi”, 

Në ato vite, kur nisi edhe karriera e saj në letërsi, thotë se jetonte në mjedisin, që letërsia e quante realizmi socialist, ndërsa historia epokë e pushtetit të Partisë së Punës së Shqipërisë. Por, historia, mendon ajo, atëkohë ishte e ndërmjetësuar nga ideologjia. Por nuk ishte ky rasti i vetëm e tipik shqiptar. As i sistemeve diktatoriale. Ahmeti mendon se historia e shekujve, në fakt ka qenë gjithnjë e parë me syzet e ideologjisë.“Diktatura është  tek njerëzit, tek rolet që kryejnë dhe mënyra sesi e kryejnë. Në sistemin e diktaturës në ligj nuk ishte që i burgosuri të rrihet, por rrihej. Edhe në këtë sistem nuk është. Pra është njeriu ai që përfiton nga avantazhi i rolit. Është njeriu ai që e ndërton të mundurën ose të pamundurën, që rrit bonsensin, ose e pret edhe e injoron atë”.Për Ahmetin, rolet në një sistem social realizohen nëpërmjet vetëdijes. “Koshienca ka një impostim. Çfarë jam unë në këto momente këtu? Poete! Por, do të shkoj në shtëpi dhe do të jem kuzhiniere. Ky është roli. Të gjithë, duke luajtur një rol të tillë kanë një unitet, që quhet sistem. Tërësia e këtij uniteti qëndron tek njerëzit. Bota mbahet tek njerëzit.”

Ajo çka e shqetëson këto ditë, zbulon se është koncepti i letërsisë, siç e quan ajo, nacion. “Në letërsinë tonë, të gjithë ata shkrimtarë që kanë bërë diskurse dhe sidomos ata që janë lidhur me subjektin, gati-  gati i kemi përjashtuar dhe persekutuar. Jo në mënyrë fatale, por me një heshtje kolektive, botim shumë të paktë të veprës, mbajtje të librave në banak apo me mospërfshirjen e kritikës në atë nivel që të zbulojë aspektet.” Ka shumë shkrimtarë shqiptarë, shton poetja e njohur, i kemi njohur përciptas ose nuk i kemi njohur fare. Ajo merr shembull librin “Gomari i Babatasit” shkruar nga  Gjergj Fishta.   “Shoh se “Gomari...” janë shqiptarët, që i rrahin si gomari dhe ata asnjëherë nuk kanë nevojë për të reflektuar. Një pjesë tjetër që më impresionoi është se si nisi ateizmi në shkolla edhe si u mënjanua botëkuptimi klerikal i asaj kohe. Mënyrat nuk ishin bisedore e me konsensus. Kanë qenë violente. Ndryshimi radikal i mendimit do të sjellë patjetër pasoja. Këto janë çështje që duhet diskutuar.”

Ahmeti thotë se duhet ta kapërcejmë kohën për të bërë analizat e nevojshme. “Ne çuditemi përse s’na duan. Nuk jemi mjaftueshëm. Nuk kemi mjete dallimi. Nuk është gjuha ajo që e mban një komb apo një etnitet. Njeriu mendon edhe pa gjuhë. Në atë që quhet integrim global, si do hymë? Ne jemi krejt të zhveshur, sepse jemi të mbuluar. Jemi të tjetërsuar dhe nuk kemi gjuhën e përbashkët që të krijojmë komunikim”. Ndalet të flasë për temën, së cilës i është kushtuar në krijimtarinë e saj; kërkimit të lumturisë përmes poezisë. “Kur je i ri mendon se gjetja e një personi është, një Romeo dhe Zhuljetë, me dashuri të pavdekshme. Kjo ëndërr për fat të keq është substrati që rri poshtë. Shpresa e fundit vdes ditën e fundit të njeriut, por njeriu është koshient,  edhe pse unë ende s’e kam lexuar kapitullin e tmerrshëm “Dogma e dashurisë”.”

Ahmeti thotë se dashuria, mund të marrë formë njeriu. “Por që nuk merr formë dashurie, s’ka çfarë bën pastaj. Forma e formave është shpirti, aty duhet të mbahemi fortë, sendryshe ku do të mbahesh kur tjetri të lë.” Ndarja nuk e ndal rrugën e shpirtit, mendon.  Unë mendoj se dashuria është tek kërkimi. Njeriu vdes nëse ndërpret kërkimin. Identifikimi i njeriut me një tjetër edhe me kërkimin bashkë me të, është kitch-i më i madh, se pastaj dashuria mbaron.”Këshilla e poetes është ta duash tjetrin  për çka të jep. “Kurse ne dashurojmë paraqitjen, vitalitetin, arrogancën, mendjemadhësinë. Nëse jemi mësuar të frustruar, dashurojmë atë që na frustron. Prandaj duhet parë raporti...”Ende vazhdon të shpresojë tek e jashtëzakonshmja. “Unë nuk them se nuk kam gjetur gjë. Fatkeqësia është që i harroj. Dhe,  nëse të harroj, është e vështirë të hysh në agjendën time”, thotë duke mos e mbajtur të qeshurën.

Duke u ndalur në librin e saj më të fundit, “Libri i lumturisë, ose lulet e fjetura” , botim i “Mapo Editions” , ajo thotë se nuk ishte të tregonte se kishte gjetur lumturinë,  por të analizonte fondamentet e botëkuptimit që kemi si individë, për lumturinë. “ Kuptova që vuajtja më vinte nga identifikimi i një bote finale, e cila megjithatë procedon, kur e kupton egon sjell pa pushim novitet nëpërmjet njerëzve dhe të rinjve, që duan të futen në të papushim.”Pranon përpara auditorit se e ka ndihmuar filozofia, gjuhët e huaja , “ndoshta deri diku edhe marrëzia. Kam pasur edhe naivitetin, që çdo gjë negative ta ktheja në margaritar. Nuk rrija tek llumi që më fuste negativiteti.” Dhe dalja nga ky llum, përfundon poetja, ka qenë arsyeja për të ruajtur shpirtin nga ligësia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë