Futboll

Miliona euro për merkato, sa kanë shpenzuar ekipet europiane në 30 vite

Sa kanë shpenzuar klubet evropiane në tregun e merkatos nga sezoni 1991-1992 deri në vitin 2018-2019? Do të ishte shumë e vështirë për të kalkuluar të gjitha llogaritë me kujdes për të gjitha transferimet e vjetra dhe negociatat që janë kryer të të gjitha përmasave. Por në rrjetet sociale është bërë shumë popullore një video e cila tregon në mënyrë progresive se sa shumë kanë investuar klubet europiane në këto 30 vjet për të përforcuar ekipet e tyre. Nga viti në vit tabela ndryshon në ekipet kryesuese dhe të tjera që ndjekin.

Kështu nëse në vitet 1991 – ’92 është Barcelona ajo që udhëheq për shpenzimet e bëra, ndërsa në vitin 2019, kreu i përket Mançester Sitit. Në fillimin e këtij vëzhgimi Barcelona është në vendin e parë me 50 milionë euro të shpenzuara në merkato. Pas katalanasve është Juventus me 45 milionë të shpenzuara. Në vendin e tretë dhe të katërt është Milani dhe Mançester Junajtid me nga 25 dhe 23 milionë euro të shpenzuara për blerje lojtarësh.

Një vit më pas kreun e merr Juventusi, dhe Barcelona me Milanin janë në podiumin e ekipeve me më shumë shpenzime në merkato. Në vitin 1993 – ’94 kreun e ekipit me buxhetin më të madh në merkato e mori Milani dhe për herë të parë ngjitet në podium Interi në vendin e tretë me 4 milionë më pak shpenzime se Barcelona. Milani e mban kreun si ekipi me më shumë shpenzime në merkato për tre vite me radhë e ndjekur nga Interi, Barcelona, Real Madrid dhe Juventus. Në vitin 1997 në skenë del Real Madrid me shpenzime shumë të larta, dhe në vitin 1998, “Los Blancos” u bënë i pari ekip që kapi shifrën e 100 milionë eurove të shpenzuara në merkaton e futbollistëve. Por nuk zgjati shumë se po atë viti u shfaq ‘fenomeni Inter’ që blinte lojtarët më të shtrenjtë në qarkullim pa asnjë hezitim. Për disa vite me radhë Interi nuk njohu asnjë rival në shpenzimet që bënte në merkato. Shpenzimet e klubit zikaltër në vitin 1999 ishin aq shumë të larta, saqë shkuan dyfish më shumë se sa ndjekësi më i afërt në këtë drejtim. Kështu deri në vitin 1999 Interi kishte shpenzuar 250 milionë euro në merkato, ndërsa Barcelona dhe Lacio në vendet e dyta dhe të treta kishin shpenzuar jo më shumë se 120 milionë euro.

Çmenduria e klubit zikaltër në ato vite vijoi edhe në shekullin e ri, teksa deri në vitin 2000, Interi kishte shpenzuar në merkato më shumë se Milani, Roma dhe Juventus bashkë. Në vitet 2001 – 2002 ishin vitet kur klubet romane, Lacio dhe Roma rritën shpenzimet e tyre, duke u munduar të rivalizojnë Interin, por sërish pa mundur dot ta mposhtin në këtë garë milionash. Deri në vitin 2004, Interi ishte klubi që kishte shpenzuar më shumë në merkato, duke i kaluar 440 milionë eurot. Por kaq zgjati dominimi zikaltër, pasi në skenë dolën paratë ruse te Çelsi. Deri në vitin 2005, “blutë e Londrës” kishin shpenzuar më shumë se 430 milionë euro. Çelsi e mbajti vendin e parë si klubi me shpenzimet më të larta në merkato deri në sezonin 2007-2008. Në tre vitet pasardhëse nga 2008-ta deri në 2011-ën froni i ekipit me më shumë shpenzime në merkato ishte pronë e Real Madrid. Rikthimi i Perez dha efektet e veta te Reali që deri në vitin 2012 kishte shpenzuar më shumë se 830 milionë euro. Në këto vite kemi shfaqjen dhe rritjen e parave arabe te Mançester Siti dhe PSG. Klubi anglez futet në vitin 2013 në mesin e tre ekipeve që ka shpenzuar më shumë merkato, ndërsa PSG u fut në “Top 10”. Real Madrid vijoi të ishte ekipi me shumë para të shpenzuara në merkato deri në vitin 2017, duke u bërë gjithashtu i pari ekip që kapi shifrën e 1 miliardë eurove të shpenzuara për merkato. Në këtë vit Siti mori kreun dhe ekipet angleze fillojnë të tregojnë potencialin e tyre financiar, duke iu afruar vendeve të para, teksa ato italiane fillojnë të bien poshtë.

Për të mbërritur në sezonin 2018-19, kur lista udhëhiqet nga Mançester Siti si ekipi që ka shpenzuar më shumë në merkato në këto 30 vite, me plot 1.346 miliardë euro. Skuadra e sheikut Mansur pjesën dërrmuese të këtyre parave i ka shpenzuar në 10 vitet e fundit, kur arabët u futën në futbollin europian. Në këtë listë si ekipi i dytë me më shumë shpenzime është Çelsi i Roman Abramoviç me 1.103 miliardë, duke lënë në vendin e tretë United me pak më shumë se 1 miliardë euro shpenzime për merkaton. Vetëm vendi i katërt dhe i pestë për dy gjigandët spanjollë në këtë renditje, Real Madrid dhe Barcelona. PSG është në vendin e gjashtë dhe ia ka dalë që t’i lërë pas gjithë milionat e hedhura ndër vite nga Interi dhe Milani. Për Juventusin vetëm vendi i 9 në këtë listë shpenzimesh, duke u dalluar si një ekip me nivel konstant shpenzimesh në këto vite. Lista e 10 ekipeve me shpenzimet më të larta për merkaton në këto 30 vite mbyllet nga Liverpuli.

Dominuesit ndër vite në këtë listë deri diku janë të reflektuara edhe me dominimin që kanë pasur këto ekipe edhe në fushën e lojës. Kështu, nëse deri në vitin 2005 dominues në shpenzime ishin ekipe si Interi, Milani, Roma, apo Juventus, këto skuadra gjithashtu ishin më të fortat në fushën e lojës, duke konkurruar për trofetë më të rëndësishëm europian në nivel klubesh. Ndërsa tashmë kjo listë dominohet nga ekipet angleze, që gjithashtu forcën e tyre e tregojnë në fushën e blertë. Mjafton të përmendim faktin që 4 nga 8 ekipet çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve këtë sezon janë angleze dhe kuptohet çdo gjë më së miri.

https://twitter.com/BetGoatUK/status/1106873693492391936

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë