Taksa

Miliarderët po nervozohen

Kur Bill Gates themeloi Microsoft-in më 1975, norma më e lartë marxhinale e taksave mbi të ardhurat personale ishte 70 përqind, normat e taksave mbi fitimet kapitale dhe të ardhurat e korporatave ishin dukshëm më të larta se aktualisht, dhe tatimi mbi pronën ishte një taksë shumë më e frikshme. Asnjë nga këto nuk e dekurajoi z. Gates të investonte në biznesin e tij dhe as nuk dekurajoi investitorët e tij të hidhnin paratë e tyre në diçka që mendonte se do të rritej.

Ai tani është një amerikan i pasur, i cili paralajmëron se plani i senatores Elizabeth Warren për taksa shumë më të larta për të pasurit, do të ishte i keq jo vetëm për të pasurit, por edhe për pjesën tjetër të Amerikës.

Z. Gates, bashkëthemeluesi i Microsoft, sugjeroi të Mërkurën se një rritje e madhe e taksave do të rezultonte në një rritje ekonomike më të ulët.
"Unë mendoj se nëse taksoni shumë, rrezikoni krijimin e kapitalit, inovacionin. SHBA si vend i njohur dhe i dëshirueshëm për të krijuar ndërmarrje innovative, do të rrezikohet nga plani për rritjen e taksave" tha ai.

Të pasur të tjerë, të trazuar nga idea e rritjes së taksave kanë shprehur të njëjtin qëndrim me më pak sofistimim. Investitori miliarder Leon Cooperman ishte pa filtra kur deklaroi se zonja Warren po shkatërronte ëndrrën amerikane. Jamie Dimon, shefi ekzekutiv i JPMorgan Chase, u ankua në CNBC se zonja Warren "përdor disa fjalë mjaft të ashpra" për të pasurit. Ai shtoi se, "Disa do të thonë se denigrojnë njerëzit e suksesshëm."

Le të themi disa gjëra drejtpërdrejt

Amerikanët më të pasur po paguajnë një pjesë shumë më të vogël të të ardhurave në taksa sesa ata më parë një gjysmë shekulli. Në vitin 1961, amerikanët me të ardhurat më të larta paguanin mesatarisht 51.5 përqind të të ardhurave në taksat federale, shtetërore dhe lokale. Në vitin 2011, amerikanët me të ardhurat më të larta paguanin vetëm 33.2 përqind të të ardhurave të tyre në taksa, sipas një studimi të Thomas Piketty, Emmanuel Saez dhe Gabriel Zucman të botuar vitin e kaluar. Të dhënat për vitet e fundit nuk janë ende të disponueshme por me shumë mundësi do të tregojnë një ngarkesë relativisht të ngjashme tatimore.

Qeveria federale ka nevojë për shumë më tepër para. Historia ka treguar se dekadat e uljeve episodike të taksave, i kanë lënë qeverisë borxhe të konsiderueshme: Thesari mendohet që do të marrë hua më shumë se 1 trilion dollarë gjatë vitit aktual fiskal për të përmbushur detyrimet e tij. Qeverisë do ti duhen akoma më shumë para për investime të rëndësishme në infrastrukturë, arsim dhe sigurime shoqërore.

Ky nuk është një miratim i detajeve të planit të taksave të zonjës Warren. Ka shumë hapësirë për të debatuar se sa para i duhen qeverisë dhe cila është mënyra më e mirë për ti mbledhur ato para. Propozimet specifike të zonjës Warren dhe një prej rivalëve të saj, Senatorit Bernie Sanders, për të vendosur një taksë të re federale mbi pasurinë, janë risi që kërkojnë konsiderim të kujdesshëm.

Por një pjesë e domosdoshme e zgjidhjes është të mblidhen më shumë para nga ata amerikanë që kanë më shumë.
Dhe ka pak prova që e justifikojnë shqetësimin e Z. Gates që rritja e nivelit të taksave së propozuar nga Znj Warren dhe kandidatët e tjerë demokratë do të dekurajonin në mënyrë të konsiderueshme inovacionin, investimet ose rritjen ekonomike.

Evidencat sugjerojnë me forcë se tatimi ushtron një ndikim të vogël në inovacion. Ekspertët nuk kanë një tablo të qartë të asaj që nxit dhe zhvillon inovacionin në këtë kontekst, por taksimi nuk ndikon në të njëjtën peshë si në arsim, kërkim shkencor dhe një sistem ligjor të qëndrueshëm.
Kongresi ka ulur taksat tre herë në katër dekadat e kaluara, çdo herë për qëllimin e deklaruar të nxitjes së inovacionit, investimeve dhe rritjes. Çdo here të lume, përfitimet e pritshme dështuan të materializohen. Presidenti Trump inicioi eksperimentin më të fundit në 2017. Fondi Monetar Ndërkombëtar arriti në përfundimin këtë vit se nuk kishte funksionuar.

Për më tepër, teksa nivelet më të larta të taksave mund të peshojnë në mënyrë modeste kundër inovacionit dhe investimit, kjo llogaritje është e paplotë dhe e paqartë. Injoron pyetjen se çfarë bën qeveria me paratë shtesë. Gjithashtu injoron mundësinë që taksat më të larta mund të rezultojnë të nxisin më shumë inovacionin.

Një studim i mbajtësve amerikanë të patentave zbuloi se inovatorët kanë tendencë të vijnë nga familje të pasura, të rriten në bashkësi të inovatorëve dhe të marrin arsim me cilësi të lartë në matematikë dhe shkencë. Z. Gates, një nga sipërmarrësit më të suksesshëm në historinë amerikane, i përshtatet këtij profili të përshkruar: Ai u rrit në një familje të pasur dhe përfitoi arsimimin më të mirë që paratë mund të blinin.

Implikimi i këtij studimi, dhe hulumtimi i lidhur me të, tregon se investimet publike, të financuara nga taksat, mund t'i japin më shumë fëmijëve avantazhet që gëzuan zoti Gates dhe kolegët e tij të pasur.

Nuk ka dyshim se teorikisht është mëse e mundur të mblidhen taksat edhe në nivele të paimagjinueshme të larta: Nëse njerëzit duhej të paguanin një taksë prej 100 përqind të dollarit që mund të fitojnë, ka të ngjarë ta qajnë atë një ditë.

Por këmbanat e alarmit nuk janë në sinkron me planin e zonjës Warren. Duke përshkruar shqetësimet e tij të Mërkurën, Z. Gates referoi që atij në një moment mund ti kërkohet të paguajë 100 miliardë dollarë.

Fushata Warren llogarit se sipas planit të zonjës Warren, Z. Gates vitin e ardhshëm do të duhet të paguajë 6.379 miliardë dollarë taksa. Kjo shumë llogaritet të jetë më pak sesa fitoi Z. Gates nga investimet e tij vitin e kaluar. Edhe sipas planit të zonjës Warren, ekziston një shans i mirë që z. Gates të pasurohet.

Për hir të së vërtetës, Z. Gates ka deklaruar më parë se mendonte që të pasurit duhet të paguajnë taksa më të larta. Por qasja e tij e të mërkurës ishte krejt e dnryshme nga deklaratat e tij të mëparshme. Ai mund të tregojë një qasje serioze në lidhje me rritjen e taksave duke lënë mënjanë hiperbolën dhe duke u përfshirë në debate parimore dhe faktike mbi detajet.

Editoriali nga The New York Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë