Futboll

Milani zyrtarizon trajnerin e ri, paguhet 2 milionë euro në vit

Marko Xhampaolo është zyrtarisht trajneri i ri i Milanit. Trajneri 51-vjeçar ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin kuqezi, me të drejtën e zgjatjes edhe për një vit të tretë. Do të paguhet 2 milionë euro në vit.

Milani e ka zyrtarizuar lajmin me një njoftim në faqen e vet, ku shkruan: “AC Milan bën me dije se duke nisur nga data 1 korrik, do t’ia besojë drejtimin teknik të skuadrës trajnerit Marko Xhampaolo. Ai ka firmosur deri më 30 qershor 2021, me opsionin e rinovimit deri më 30 qershor 2022”. Trajneri i ri, Xhampaolo, do të nisë punën menjëherë bashkë me drejtorin teknik Paolo Maldini dhe me Zvonimir Boban, për të planifikuar strategjitë e merkatos, që në fakt ka nisur me afrimin e mesfushorit boshnjak Rade Kruniç, i blerë nga Empoli për 8 milionë euro. Stafit drejtues do t’i bashkohet së shpejti Frederik Masara, i zgjedhur për rolin e drejtorit sportiv.

Marko Xhampaolo, trajneri i ri i Milanit

I lindur në Belinzona, në Zvicër, por me origjinë nga Abruco, Xhampaolo ka luajtur si mesfushor në vitet 1986-1997, ku ka veshur fanellën e Sirakuzës dhe Fidelis Andria në kategoritë e ulëta italiane. Nga viti 2000 ka nisur të punojë si ndihmëstrajner te Peskara, Xhulianova dhe Askoli. Për herë të parë në Serinë A ka drejtuar Kaljarin në sezonin 2006-07. Më pas ka drejtuar Sienën, Katanian dhe Çezenën. Pas eksperiencës te Breshia dhe Kremoneze, u kthye në Serinë A në sezonin 2015-16 për të drejtuar Empolin. Ishte Mauricio Sarri, trajneri aktual i Juventusit, që i sugjeroi Empolit këtë trajner. Në vitin 2016 mori drejtimin e Sampdorias. Xhampaolo është një besnik i skemës 4-3-1-2, e bazuar gjithmonë te kontrolli i lojës.
Xhampaolo merr vendin e Xhenaro Gatuzos dhe stërvitjen e parë me ekipin e ri do ta drejtojë më 9 korrik. Objektivi do të jetë rikthimi i Milanit në Champions League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë