Futboll

Milani shijon dhe Championsin, mund Dinamon dhe ngjitet në krye të grupit

Gazeta Si – Vjen fitorja e parë europiane. Milani i Piolit ka mundur 3-1 Dinamon e Zagrebit në ‘San Siro’ dhe ka marrë vendin e parë në Grupin E me 4 pikë pas dy ndeshjesh. Leao ishte frymëzuesi i Milanit, edhe pse nuk shënoi.

Një fitore me vlera të mëdha morale për kampionët e Italisë, që tashmë po shijojnë edhe Championsin. Kroatët, pas fitores me Çelsin në xhiron e parë, nuk kanë mundur të bëjnë një tjetër surprizë në këtë kompeticion.

Zhiru feston golin ndaj Dinamos. Gazeta Si, 14 shtator 2022

Në fundin e pjesës së parë, Milani fitoi një penallti me Leao dhe Zhiru nuk gaboi nga pika e bardhë. Sapo nisi pjesa e dytë, Saelemaekers dyfishoi shifrat me kokë, pas një krosi të bukur të Leaos.

Kroatët e rihapën ndeshjen me një gol të Orshiç, pas një kundërsulmi të shpejtë. Por shpresat e tyre u shuan nga Pobega 13 minuta para fundit, kur ai realizoi golin e tretë të Milanit me një aksion të bukur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë