Futboll

Milani keq e më keq, Sasuolo e mund 2-5 dhe i vë në rrezik Championsin

Gazeta Si – Në ‘San Siro’ është parë një Milan shumë i shëmtuar, që thellon krizën. Sasuolo ka shënuar 5 herë në portën e skuadrës së Piolit, me anë të Defrel, Fratezit, Berardit, Laurientes dhe Henrike. Të kotë golat e Zhiru dhe Origit për kuqezinjtë.

Momenti i errët i Milanit vazhdon. Për javën e 20-të të Serisë A kampionët në fuqi janë shkërmoqur në fushën e tyre si një kala prej rëre. Sasouolo i ka shkaktuar Milanit humbjen e dytë radhazi në kampionat dhe të tretën, duke marrë në konsideratë edhe derbin e Superkupës.

Ishte një ndeshje makthi në ‘San Siro’, e mbyllur 2-5 dhe që vë në rrezik serioz pjesëmarrjen në Champions. Në pjesën e parë, Defrel (19') dhe Fratezi (21') ndryshuan rrjedhën e ndeshjes me 2 gola, pastaj Berardi (30') firmosi trisin, pas golit të Zhiru (24'). Në të dytën Laurientè (47') thelloi avantazhin për miqtë me penallti dhe Henrike (79') mbylli llogaritë para golit të Origit (81') në fund.

Milanit iua anuluan me VAR dy gola të shënuar nga Zhiru dhe Rebiç. Me 38 pikë kuqezinjtë mbajnë vendin e 4-t aktualisht, por përveç Atalantës dhe Interit rrezikohen të parakalohen edhe nga Lacio e Roma.

Sasuolo feston fitoren ne Milano. Gazeta Si, 29 janar 2023

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë