Futboll

Milani drejt humnerës, përfundon në vend të 6-të

Moment i errët për Milanin, që duket se po shkon drejt humnerës. Humbje 2-0 në fushën e Torinos dhe vend i 6-të, por mund të shkojë edhe më keq, sepse Atalanta nuk e ka luajtur ende ndeshjen e javës së 34-t të Serisë A dhe një fitore e mundshme e saj e nxjerr Milanin jashtë edhe nga Europa League.

Vendi i katërt është komplikuar së tepërmi pas kësaj humbjeje për skuadrën e Gatuzos që ka humbur orientimin dhe po luan shumë dobët. Milani është 2 pikë pas Romës, që mban aktualisht vendin e fundit që të çon në Champions League dhe me këtë ecuri rrezikon shumë të mbetet jashtë Europës, aq më shumë që është eliminuar edhe nga Kupa e Italisë në gjysmëfinale. Një Milan pa ide dhe pa një lider në fushë, për grintën për sukses dhe shumë i brishtë në mbrojtje dhe sulm. Një penallti e akorduar me VAR pak pas fillimit të pjesës së dytë dhe një gol i Berenguer 10 minuta më pas, i dhanë fitoren Torinos, që shpreson të bëjë surprizën, duke shkuar në Champions.

Beloti feston golin e shënuar me penallti ndaj Milanit

Trajneri Ivan Xhenaro Gatuzo i ka punët shumë keq në këtë moment, pasi Milani po zhgënjen javë pas jave. Ai kishte lënë në stol sulmuesin Piatek në këtë ndeshje dhe me siguri kritikat do të jenë edhe më të ashpra nga drejtuesit e klubit, sidomos nga Leonardo. Milani rrezikon shumë të dështojë në një sezon, ku shpresohej shumë se do të bënte ndryshimin e madh. Skuadra kuqezi është shfaqur shumë nervoze, duke marrë shumë kartonë të verdhë, ndërsa kapiteni Romanjoli është ndëshkuar me karton të kuq dhe humbet ndeshjen e radhës. Më keq se kaq nuk mund të shkonte për Milanin.

Në garë për vendin e 4-t, përveç Milanit dhe Romës, janë edhe Atalanta, Torino dhe Lacio. Skuadra e Strakoshës është afruar me pikë, pas fitores së fundit në fushën e Sampdorias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë