Futboll

Milan me shumë dilema, kërkohet zgjidhje për sulmin

Milani i këtij sezoni vijon të ketë të njëjtat probleme. Skuadra kuqezi ka treguar në këto javë të fazës së parë të sezonit të njëjtat problematika pak a shumë në të gjitha repartet. Por ajo që është vënë re dhe që në disa raste e ka penalizuar Milanin, është edhe shterpësia e madhe në repartin e sulmit.

Njeriu që u mendua se do të merrte prej dore Milanin e ri, Gonzalo Higuain, ka lënë shumë për të dëshiruar. Sulmuesi argjentinas në 15 ndeshje këtë në Serie A ka shënuar vetëm 6 gola. Shumë pak për një sulmues që normën e tij të zakonshme e ka mbi 30 gola sezonal. Nisur nga kjo formë e dobët e Higuain te Milan gjatë kësaj merkatoje janë duke menduar për të bërë një ndryshim në majën e sulmit. Prej javësh në mediet italiane flitet për sulmuesin që do të jetë në majën e formacionit të Gatuzos. Dy kandidatët më të përfolur janë Piatek i Xhenovës dhe Morata i Çelësit. Por edhe veterani Karim Benzema mbetet gjithmonë një emër i lakuar për të luajtur në sulmin e Milanit.

Të gjithë emrat janë me peshë, por në fillim duhet të gjendet një sistemim për “El Pipita”. Për argjentinasin u paguan më shumë se 50 milionë euro gjatë verës dhe tashmë ai do duhet të sjellë një pjesë të mirë të parave që do duhen për sulmuesin e ri.

Claciomercato.com shkruan se shkëmbimi mund të jetë kokë më kokë mes Higuain dhe Moratës. Por ky opsion nuk është shumë i pëlqyeshëm për trajnerin e kuqezinjve, Gatuzo.
Për teknikun 41-vjeçar emri më i pëlqyer për të qenë në majën e sulmit quhet Kristof Piatek. Polaku që tashmë ka filluar të konsiderohet si “Levandovski i ri” është duke bërë një sezon fantastik me Xhenovën dhe tashmë po projektohet që të largohet në një ekip më me peshë, brenda ose jashtë Serisë A. Tratativa premton të jetë shumë e vështirë për shkak edhe të shifrave të mëdha për të cilat bëhet fjalë. Milan është i interesuar ta bëjë këtë lëvizje në muajin janar, por do të mbetet për t’u parë nëse njëri prej këtyre sulmuesve do të ndërrojë ekip gjatë kësaj merkatoje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë