Futboll

Milan-Inter si pikë kthese për Konten e Xhampaolon, kush humb rrezikon shumë

Janë sa të ndryshëm, aq edhe të ngjashëm. Marko Xhampaolo nga njëra anë dhe Antonio Konte nga ana tjetër. Filozofia "kokën lart dhe luaj futboll” është e trajnerit milanist, kurse "kokën poshtë dhe ec përpara me rezultate" është e interistit. Në mes është një derbi që vlen shumë, edhe pse është java e 4-t e kampionatit. Milan-Inter luhet të shtunën në mbrëmje dhe ka një peshë të madhe. Jo vetëm se ka një rivalitet qytetar që ndihet shumë në Milano, por edhe sepse as Xhampaolos dhe as Kontes nuk i lejohet hap fals.

Nuk kanë humbur kurrë një derbi. Xhampaolo ka 4 fitore dhe 2 barazime me Sampdorian, kurse Konte ka 4 fitore me Juventusin. Asnjëri nuk dëshiron ta prishë këtë statistikë pikërisht tani, kur dy skuadrat, edhe pse Interi është me pikë të plota, nuk kanë bindur plotësisht, duke dhënë përshtypjen se kanë ende shumë për të bërë.

Xhampaolo dhe Konte, trajnerët e Milanit dhe Interit. Gazeta Si, 20 shtator 2019

Interi është më mirë, ose më saktë ishte deri të martën, para barazimit zhgënjyes në Champions me Sllavian e Pragës. Më mirë, sepse dora e Kontes është e dukshme në skuadër, në lëvizjet e saj. Te Milani puna është ende në gurët e parë, me trajnerin që është në kërkim të një formule loje efikase. Është çështje topi dhe vjen gjithmonë dita, kur një shkëndijë ndryshon gjithçka. Derbi është rasti më i mirë për këtë shkëndijë, jo vetëm se publiku do të jetë entuziast, si gjithmonë, por edhe për faktin se kush humb rrezikon të përfundojë në vorbullën e kritikave, prej së cilës do të jetë shumë e vështirë për të dalë. Milano nuk të fal dhe nuk është e lehtë për asgjë.

Stefano Sensi është zbulimi i kësaj pjese të parë të sezonit tek Interi dhe që për pak javë ishte milanist. Ai u bllokua nga Boban dhe Maldini, por më pas u la të shkonte tek Interi, sepse kushtonte shumë. Ante Rebiç, thuajse internist në ditët e fundit të merkatos, u bë milanist në gongun e fundit. I pari e ka treguar veten në fushë, kurse tek i dyti janë varur shpresat e popullit milanist. Sensi me siguri do të jetë mes protagonistëve të derbit të nesërm, Rebiç kërkon hapësirë dhe duket se do ta gjejë në krah të Piatek. Sulmuesi polak është ana tjetër e sfidës. Po vuan për golin dhe ndaj Veronës shënoi me penallti, ndoshta një sinjal zgjimi për të. Lukaku tek Interi e nisi shumë mirë, por në dy ndeshjet e fundit e ka ulur shumë shpejtësinë.

Nga një derbi i sezonit të kaluar Milan-Inter. Gazeta Si, 20 shtator 2019

Ndoshta nuk pritet ndonjë derbi i madh, por brenda tij do të ketë shumë gjëra. Xhampaolo dhe Konte kanë vendosur “dorezat” e boksit për të hyrë në një “ring” që nuk fal. Duhet fitorja për një fillim të ri, humbja të fut menjëherë në telashe të mëdha. Brenda ose jashtë, nuk ka rrugë të mesme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë