Futboll

Milan-Inter, derbi edhe në merkato

E diela e kësaj javë në Serinë A sjell një përballje klasike. Është derbi i Milanos që vë përballë Milanin dhe Interin, tw dyja në kërkim të lavdisë së dikurshme. Për herë të parë në 7 vitet e fundit përballja mes këtyre dy skuadrave rikthehet që të jetë vendimtare për një diçka të rëndësishme. Të dyja ekipet janë në garë për t’u futur në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Milan në vendin e tretë dhe Inter në të katërtin, kjo përballje pritet të vendosë shumë për ekipin që do të luaj sezonin e ardhshëm në Champions.

Por Inter kundër Milan nuk është një përballje vetëm në fushën e blertë. Të dyja ekipet e traditës në Itali janë në betejë edhe në merkato. Sipas medieve përtej Adriatikut, kuqezinjtë dhe zikaltërit po duelojnë në merkato edhe për mbrojtësin danez Johakim Andersen. Mbrojtësi i Sampdorias ka bërë mirë këtë sezon, duke qenë një titullar fiks në pothuajse të gjitha ndeshjet dhe ka marrë mbi shpatullat e tij qendërmbrojtjen e skuadrës gjenoveze.

Interi kërkon të përsërisë me Joachim Andersen operacionin Skrinjar. Por do të jetë shumë e vështirë që edhe danezi të zbarkojnë te Inter me të njëjtën kosto të ultë, pasi në mes është futur Milani. Maldini dhe Leonardo e kanë ndjekur nga afër Andersen këtë sezon dhe kanë filluar punën për ta bashkuar atë me Romanjolin në qendërmbrojtjen e kuqezinjve për sezonin e ardhshëm. Vera e ardhshme pritet të jetë shumë e ashpër mes të dyja dhe Sampdoria do të përpiqet që të përfitojë sa më shumë, pse jo ta ktheje shitjen e Andersen në një ankand të vërtetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë