Shendet

Miçigani ndalon cigaret elektronike me aromë

Miçigani u bë shteti i parë amerikan që ndalon shitjen e cigareve elektronike me mbushje aromatike. Vendimi u mor nga guvernatori i këtij shteti, që e arsyetoi atë me rastet e shtuara të sëmundjeve në mushkëri që shfaqin konsumatorët e këtyre cigareve.

“Detyra ime kryesore është që të mbaj fëmijët tanë të sigurtë dhe të mbroj shëndetin e qytetarëve të Miçiganit”, deklaroi guvernatorja Gretchen Whitmer.

Whitmer akuzoi kompanitë e prodhimit të cigareve elektronike se po përdorin aromatizues të ndryshëm për të tërhequr sa më shumë konsumatorë, sidomos të rinj, që të konsumojnë nikotinën, pa u sqaruar më parë pasojat shëndetësore që vijnë bashkë me vesin e duhanpirjes.

Pjesë e cigareve elektronike të ndaluara janë edhe ato me mente, ndërsa cigaret pa aroma të shtuara veç atyre të duhanit do të lejohen. Urdhri është i detyrueshëm si për dyqanet fizike të shitjes së cigareve elektronike, ashtu edhe për dyqanet që e shesin këtë produkt online.

Zyra e Guvernatores Whitmore thotë se vendimi do të hyjë në fuqi brenda këtij muaji dhe ai do të pasurohet me një rregullore të posaçme që do të hartojnë autoritetet vartëse të zyrës së guvernatores.

Mes rregullave pritet që të hiqen fjalë “të pastra”, “të sigurta”, “të padëmshme” dhe “të shëndetshme” nga reklamimi i cigareve elektronike nëpër tabelat reklamuese në rrugët dhe sheshet e shtetit të Miçiganit.

Urdhri mund të bllokohet nga parlamenti i Miçiganit, por një vendim i tillë, që me gjasa nuk ka për të ndodhur vetëm sa do të shtynte në kohë zbatimin e vendimit, pasi sipas ligjeve të shtetit të Miçiganit Guvernatori ka fjalën e fundit dhe të drejtë vetoje.

Vendimi i Guvernatores së Miçiganit mbërrin pas regjistrimit të viktimës së parë të shkaktuar nga konsumimi i cigareve elektronike në Ilinois të SHBA. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në krye të tabelës së konsumatorëve të cigareve elektronike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë