Futboll

Meteor në Kombëtare, Hysen Memolla vjen në Superiore me fanellën e Egnatias

Gazeta Si – Disa duan të provojnë një aventurë jashtë Shqipërisë për rritjen profesionale dhe në këtë drejtim fati u ka buzëqeshur disa lojtarëve të talentuar kohët e fundit. Ka edhe të tjerë që bëjnë rrugën në sens të kundërt.

Bekim Balaj, Regi Lushkja dhe Kristal Abazaj janë kthyer në Superiore, ku për herë të parë do të luajë edhe Hysen Memolla, ish-lojtar i Kombëtares në një periudhë të shkurtër. Kavajasi 30-vjeçar ka firmosur së fundi për Egnatian e Rrogozhinës.

Hysen Memolla gjate prezantimnit tek Egnatia. Gazeta Si, 2 shkurt 2023

Memolla u afrua në Kombëtare në momentin e tërheqjes së Ansi Agollit, kur kuqezinjve u duhej një mbrojtës i majtë. Ai ka luajtur 6 ndeshje me fanellën kuqezi, por pa lënë gjurmë, ndaj dhe kohët e fundit nuk është grumbulluar nga ish-trajneri Edi Reja.

Lojtari ka provuar disa eksperienca në kampionate të ndryshme, si Itali, Slloveni, Kroaci, Hungari dhe së fundi në Finlandë. Tani vjen në Superiore, ku do të përfaqësojë skuadrën rrogozhinase. Si një ish-lojtar i Kombëtares, pritet që ai të bëjë diferencën në rolin e tij, por gjithçka e tregon fusha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë