Ekonomi

Mete: Po punojmë me ndërkombëtarët për strategjinë e financave publike dhe reformën e pensioneve

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave, Ervin Mete, i pranishëm në Konstituencën e Bankës Botërore dhe FMN-së, tha  se bashkë me BE-në, po finalizohet strategjia e Menaxhimit të Financave Publike, lidhur me negociatat. Po ashtu, tregoi se po MF po punon me BB për reformën e sistemit të pensioneve dhe mbrojtjes sociale.

 “Ne kemi vendosur objektivin e transformimit të Shqipërisë në eksportues neto të energjisë, bazuar në zgjerimin e burimeve të rinovueshme dhe synojmë të zgjerojmë investimet e qëndrueshme në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke adoptuar një kuadër efektiv të taksonomisë së gjelbër. Për një rritje gjithëpërfshirëse, kemi nisur një diskutim të thelluar me Bankën Botërore për analizimin e komponentëve të mbrojtjes sociale, me objektivin për të ndërmarrë një qasje reformuese edhe ndaj sistemit të pensioneve.  Gjithashtu, politikat ndaj mbrojtjes së kapitalit njerëzor dhe nxitjes së punësimit mbeten thelbësore, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë.  Kemi vendosur po ashtu si objektiv inovacionin, digjitalizimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, që është edhe një nga temat e diskutimit sot dhe do të jetë një nga elementët që e ardhmja dikton ta vëmë në funksion të rritjes së produktivitetit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike”, tha ministri i Financave.

Mete theksoi gjithashtu se borxhi publik jo vetëm zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon.

Në një fjalim të shkurtër, kryeministri Edi Rama përmendi rritjen e fortë të turizmit në Shqipëri gjatë 2023-shit si një ndër momentet më të mira të ekonomisë së vendit dhe theksoi se sfidë mbetet Reforma e Pagave.

Ne jemi renditur në vendin e tretë në rang botëror nga Organizata Botërore e Turizmit sa i takon rritjes së turizmit vitin e kaluar. Të tretët pa patur ndonjë aktivitet të veçantë si Kupa e botës, një arritje e madhe për të ecur para. Në janar kemi pasur afro 500 mijë turistë dhe aeroporti ynë ua ka kaluar dhe shumë aeroporteve të tjera, edhe të Beogradit.Në të njëjtën kohë jemi të inkurajuar nga shifrat që kemi për punësimin dhe papunësinë, ndonëse sfidë mbetet rritja e mëtejshme e pagave, që të frenojë konkurrencën e ashpër që po bëhet gjithnjë më e fortë nga vende të përparuara që kërkojnë fuqi punëtore”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë