Ekonomi

Mete: Në qershor lehtësojmë taksat. Pranë finalizimit edhe strategjia e re e të ardhurave

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave Ervin Mete, ka ripërsëritur se në muajin qershor do të ketë një lehtësim për tatimpaguesit. Lajmin e bërë fillimisht publik nga kryeministri Edi Rama, Mete e njoftoi në një takim me Dhomën Amerikane të Biznesit, por nuk tregoi asgjë më shumë.

Në takim, ministri tha se po finalizohet konstituimi i Këshillit Tatimor dhe strategjia e të ardhurave, në bashkëpunim me FMN-në.

“Jemi aktualisht në hapat e fundit të konstituimit të Këshillit Tatimor dhe gjej rastin të ftoj edhe njëherë edhe anëtarët e Dhomës Amerikane të Biznesit të aplikojnë për t’u bërë pjesë aktive e këtij Këshilli. Jemi gjithashtu në një komunikim vazhdues me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të finalizuar një strategji të rishikuar për mbledhjen e të ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë, me fokus rritjen e mirëadministrimit fiskal dhe gjithashtu në frymën e ruajtjes së një qëndrueshmërie të legjislacionit fiskal,” u shpreh Mete.

Ai tregoi se tashmë nuk ka asnjë detyrim të prapambetur sa i përket rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

Ministri rikujtoi dhe vlerësimin e “Standard&Poor’s” për Shqipërinë, nga B+ në BB-, duke e cilësuar si një vlerësim i përpjekjeve për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e financave publike. Ai tha se ky vlerësim do të forcojë më tej pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe do të shoqërohet me përfitime konkrete për ekonominë e vendit.

Mete e mbylli fjalën e tij duke nënvizuar faktin se ky moment i mirë që po kalon ekonomia e vendit, treguesit e përmirësuar makroekonomikë, si dhe vlerësimet e marra nga institucionet financiare ndërkombëtare nxisin më tej përpjekjet dhe vendosmërinë për të thelluar ritmin e reformave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë