Politike

Meta shqetësohet nga një raport për median i dy viteve më parë: Jemi në regres

Këto kohë, Ilir Meta, e shkëputi vëmendjen nga mbrojtja e Kushtetutës, duke u fokusuar tek një tjetër “hobby” i tij, sporti.

U mor kryesisht me ikonat e futbollit shqiptar si Lefter Millo apo Sulejman Maliqati e deri uroi Teutën për fitoren e Kupës së Shqipërisë, edhe pse në ndeshjen finale, Meta bënte tifozllëk për skuadrën që humbi, Tiranën.

Por, deri sot. Sepse Ilir Metën e ka trazuar një raport  i Qendrës për Pluralizëm dhe Liri Mediatike, me fokus sistemin dhe lirinë e mediave në vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian.

Raporti është hartuar nga tre gazetarë dy të BIRN, Besar Likmeta, Kristina Voko, dhe Dorian Matlija i Res Publica.

Raporti është hartuar kryesisht mbi një përmbledhje e raporteve të mëparshme që të tre gazetarët (sa me siper) kanë përgatitur, të dhënat e Censusit dhe një raport i Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias

Bëhet fjalë për situatën mediatike 2018-2019, por ajo ç'ka ka rëndësi për Ilir Metën është përmbajtja e saj që ai e ka përmbledhur kujdesshëm

“Raporti vëren stanjacion ose përkeqësim të situatës në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit.

Studimi thekson se pushteti politik në vend është tejet influencues, duke rezultuar në media jo të pavarura apo mediume që mbështetin partinë në pushtet dhe kërcënojnë autonominë e vet.

Me shkallën nga 0 në 100, rreziku për televizionet paraqitet i mesëm, ndërsa për portalet në internet, rreziku sipas konkluzioneve, rritet në shkallën sipërore për shkak të ndikimit më të fortë politik, mungesës së transparencës për sa i përket reklamave dhe kandidatëve politikë gjatë fushatave elektorale.

Tepër alarmant është përfundimi se "për sa i përket mbrojtjes themelore të pluralizmit, mediat shqiptare paraqiten në rrezik të mesëm, apo 53%, rreziku i pluralizmit të tregut mediatik klasifikohet tepër i lartë në 80%".

Meta e sheh si regres shqetësues lirinë e medias duke ftuar kësaj here organizatat prestigjioze botërore të medias që të monitorojnë me më shumë vëmendje situatën e kolegëve gazetarë në Shqipëri.

“Shqiptarët janë ndarë 30 vite më parë nga neni 55 i ‘Agjitacionit dhe Propagandës’ dhe askush të mos mendojë që duke përdorur forma të reja shantazhi e presioni do mundet dot ta rikthejë atë”, nënvizoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë