Politike

Meta-Ruçit: Nuk jap pëlqimin për Eurobondin

Presidenti Ilir Meta nuk e dha pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë të projektligjit “Për eurobondin që do të emëtohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë...”

Në shkresën dërguar Kryetarit të parlamentit, Gramoz Ruçi, Presidenti Meta argumenton se nuk gjendet e argumentuar objektivisht e në terma konkretë nevoja dhe urgjenca që justifikojnë hyrjen menjëherë në fuqi të këtij akti, pas miratimit nga Kuvendi.

“...Nëse nevoja dhe urgjenca lidhen, siç citohet në shkresën tuaj, me qëllim arritjen e daljes me Eurobond gjatë muajit qershor 2020, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të ishin investuar në kohë me qëllim që procesi legjislativ të mos kushtëzohej nga urgjenca e shqyrtimit të një akti me rëndësi të madhe për financat publike. Ndërsa përfitimet nga ky përshpejtim nuk janë argumentuar plotësisht në kërkesë dhe as në relacionin shoqërues.

Vonesa në parapërgatitjen e kësaj nisme tregon se çështjet financiare dhe të ekonomisë në tërësi nuk kanë pasur vëmendjen e duhur në kohë nga qeveria.  Në këto kushte, kërkesa për dhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë, rezulton e pajustifikuar...”, thuhet në shkresën e Presidentit, Ilir Meta.

Kjo nismë, sipas tij, duhet të jetë e shoqëruar me një analizë më të hollësishme që reflekton domosdoshmërisht dhe qëndrimin e shprehur të Bankës së Shqipërisë në lidhje me rreziqet e daljes në treg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë