Politike

Meta “njeh” 30 qershorin, falenderon kryetarin e Bashkisë së Kavajës

Presidenti Ilir Meta nuk e njeh procesin zgjedhor të 30 qershorit, por me një prej emrave të kryebashkiakëve që dolën nga ky proces, u shfaq para kamerave, duke e falenderuar për mobilizimin në kauzën e dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë.

Meta ishte në Kavajë, ku u prit me shiritin e kryebashkiakut në krah nga Redian Krali, që e mori këtë detyrë pas zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit të kaluar, jo pa shkaktuar më parë përplasje me mbështetës të opozitës dhe të ish-kryebashkiakut Isa Sakja.

“Një falënderim të veçantë kam sot për popullin e Kavajës, për kryetarin e Bashkisë dhe stafin e tij që iu përgjigjën apelit për të dhuruar gjak në këto ditë kur kërkesa për gjak është mjaft e domosdoshme, sidomos nga fëmijët, të cilët vuajnë nga talasemia. Por edhe nga të gjithë të tjerët, që kanë nevojë në mënyrë periodike për gjak”, deklaroi Presidenti Meta, me në krah kreun e Bashkisë së Kavajës.

Ky ishte prononcimi zanor i Presidentit para kamerave, që në përmbajtje sugjeron se ai e njeh procesin zgjedhor të 30 qershorit. Por, në reagimin me shkrim të postuar pak më vonë në rrjetet sociale, Presidenti Meta “korrigjon” fjalimin dhe i shpreh mirënjohje vetëm Bashkisë së Kavajës si institucion.

“Mirënjohje Bashkisë Kavajë dhe qytetarëve të saj të mrekullueshëm, të cilët me zemër të madhe ju përgjigjën sot vullnetarisht apelit për të dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë. Akti i tyre human dhe solidariteti në këto momente të vështira për mbarë shoqërinë tonë, është një shembull i jashtëzakonshëm frymëzimi. Dhurimi i gjakut nuk lidhet me problematikat shëndetësore që shfaq pandemia COVID-19, ndaj i inkurajoj të gjithë, në veçanti të rinjtë të udhëheqin dhe ta mbështesin vullnetarisht këtë kauzë humane”, shkruan Presidenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë