Politike

Meta-Manastirliut: Të bashkëpunojmë me vendet fqinje

Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një takim pune me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

 “Strategjia që po ndjekim ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID-19. Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”, tha Manastirliu.

Nga ana e tij, kreu i shtetit apeloi për rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e udhëzimeve të bëra publike, për ruajtjen e distancave fizike dhe mbajtjes së maskave, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit të ri turistik.

Në këtë kuadër, presidenti Meta dhe ministrja Manastirliu theksuan domosdoshmërinë e vijimit të koordinimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore.

Gjithashtu, Meta  nënvizoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të COVID-19, me qëllim rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë.

Presidenti Meta dhe Ministrja Manastirliu theksuan se “është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të masave mbrojtëse, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë