Politike

Meta kthen në Kuvend ligjin ‘për shërbimet e pagesave

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për “shërbimet e pagesave”.

Kreu i Shtetit deklaron se disa nga arsyet e kthimit të ligjit janë mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave; Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave; – Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.

Ligji është propozim i Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë, duke e përafruar pjesërisht me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, të datës 25 nëntor 2015, “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.

“Rregullimi i shërbimeve të pagesave me ligj të posaçëm është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur ky ligj, duke parashikuar mundësinë e operatorëve të tjerë ekonomikë për të zhvilluar aktivitet në fushën e shërbimit të pagesave përkundrejt licencës përkatëse, rrit konkurrencën në treg. Rritja e konkurrencës patjetër që do të ndikojë si në uljen e kostos së transaksioneve të pagesave, si në rritjen e cilësisë së shërbimit, ashtu dhe në rritjen e aksesit në informacion të qytetarëve mbi mundësitë e kryerjes së pagesave përmes këtij shërbimi. Gjithashtu, ky ligj vlerësohet pasi ofron një mundësi më shumë zgjedhjeje për konsumatorin. Ndërsa parashikimi i krijimit të një zyre të veçantë për shqyrtimin e ankesave të konsumatorit, forcon edhe më shumë mbrojtjen e tij”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Por nga ana tjetër, në raport me vetë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të licencuara që do të zhvillojnë aktivitetin në fushën e shërbimit të pagesave, ligji paraqet disa problematika të cilat krijohen nga paqartësia e disa dispozitave; mungesa e harmonisë së tyre me legjislacionin ekzistues; apo nga hapësira që disa dispozita krijojnë për keqzbatim në praktikë, të cilat do të shtjellohen në vijim”, vijon më tej Presidenca.

Ligji paraqet këto mangësi:

– Mospërcaktimi i kritereve të qarta të licencimit të institucioneve të pagesave;

– Mospërcaktimi i shkeljeve konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të institucioneve të pagesave;

– Mospërcaktimi i funksioneve të qarta dhe shteruese mbikëqyrëse të autoritetit licencues dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.

Presidenti Meta thotë se “të gjitha këto mangësi të konstatuara cenojnë parimet kushtetuese të sigurisë juridike, lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, trajtimit të barabartë përpara ligjit, duke mos garantuar plotësisht jo vetëm sigurinë e administrimit të fondeve që qarkullojnë përmes institucioneve të pagesave, por edhe duke krijuar rrezikun potencial të keqpërdorimit të tyre me qëllime kriminale, si ato të pastrimit të parave apo të financimit të terrorizmit”. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë