Politike

Meta kthen ligjin për shtetësinë: Më kufizon kompetencat, dhe krijon pasiguri

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka kthyer në Kuvend ligjin “Për shtetësinë”, me argumentin se, ky ligj aq i rëndësishëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare, nuk ka patur një konsultim të mirëfilltë me institucionet përgjegjëse në trajtimin e kërkesave për dhënien apo lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare.

Në dekretin e kthyer për rishqyrtim, Meta nënvizion gjithashtu se kriteret e përcaktuara në ligj kufizojnë jo vetëm kompetencën ekskluzive të Presidentit për dhënien dhe lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare, ”por cënojnë edhe të drejtat e subjekteve për të aplikuar/marrë shtetësinë shqiptare përmes kritereve jo proporcionalë, në kundërshtim me nenet 19 dhe 92 të Kushtetutës”.

“Ky ligj ngatërron konceptin e ‘fitimit’ të shtetësisë shqiptare, si një e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme e çdo njeriu që lind brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, apo nga paraardhës shqiptarë, me ‘marrjen’ e shtetësisë shqiptare nga çdo subjekt tjetër që nuk ka patur më parë lidhje me Republikën e Shqipërisë.

Ligji krijon pasiguri për sa i përket procedurave të paqarta për aplikimin për shtetësi shqiptare.

Ky ligj shkel parimin e shmangies së gjendjes pa shtetësi sanksionuar nga  Konventa për Statusin e Personave pa Shtetësi, në të cilën Republika e Shqipërisë ka aderuar që në vitin 2003”, thuhet në dekretin e Metës.

“Ky ligj, - nënvizon ai, - përmban gabime edhe në përmbajtje apo mënyrën si është zbardhur, duke referuar në terma që nuk rregullohen në përmbajtjen e tij, si dhe vijon të rëndojë skemën institucionale duke krijuar agjenci pas agjencie, pa asnjë funksion të qartë ligjor, në shkelje të rregullimeve të ligjit në fuqi për administratën shtetërore dhe në rëndim arbitrar të buxhetit të shtetit, për sa kohë dublohen detyrat që duhet të përmbushen nga organe si Policia e Shtetit apo Shërbimi Informativ Shtetëror”.

Presidenti vëren gjithashtu se, “ky ligj cenon direkt Konventën Europiane ‘Për shtetësinë’ ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, duke bërë diferencim dhe trajtuar në mënyrë diskriminuese, pas dhënies së shtetësisë shqiptare, shtetasit që nuk e kanë pasur më parë atë, në raport me shtetasit e vetë shtetit”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë