Politike

Meta kthen ligjin për monedhat virtuale: Nuk jemi gati!

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, të ashtuquajtur ligji për kriptomonedhat, apo monedhat virutale.

Në argumentimin e gjatë juridik të publikuar në faqen e Presidencës, arsyeja e kthimit të ligjit është se sipas Presidentit, Shqipëria nuk është gati për një ligj të tillë dhe ky ligj rrezikon që të përdoret për të pastruar paratë e krimit të organizuar.

“Së pari, lidhet me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë; Së dyti, lidhet me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale; Së treti, lidhet me vetë disa problematika që paraqesin dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues”, thotë Presidenti.

Meta kujton se edhe vende më të zhvilluara se Shqipëria po tregohen të kujdesshme në këtë drejtim dhe rendit arsyet përse. Sipas tij, shkak i kujdesit të shtuar është paqëndrueshmëria e monedhave virtuale, natyra e decentralizuar e tyre, kërcënimi i perceptuar ndaj sistemeve monetare aktuale dhe lidhjet me veprimtari të paligjshme si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave.

Meta thotë se rregullimi i kuadrit ligjor duhet parë në tre aspekte. Së pari, thotë ai, për shkak të mungesës së plotësimit të kushteve dhe standardeve që kërkojnë tregje të tilla të regjistrave të shpërndarë, mund të jetë një proces i parakohshëm për tu miratuar dhe/ose për tu zbatuar.

Së dyti, Presidenti vë në pikëpyetje edhe aftësinë dhe kapacitetin teknologjik të Shqipërisë për një nismë të tillë.

“Nuk jepet asnjë e dhënë mbi kapacitetin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të mbuluar dhe monitoruar këtë fushë që nuk lidhet vetëm me dhënien e licencave, por mbi të gjitha kërkon mekanizma të aftë kontrolli”, thotë ai.

Së treti, Meta sjell shembullin e vendeve të tjera, që e kanë testuar këtë teknologji përmes licencave afatshkurtra. “Në Europë ky fenomen “regulatory sandboxes” është kthyer në një trend, në Shqipëri nuk suportohet nga ligjet bazë të autoriteteve kompetente; pra, këto autoritete nuk kanë të drejtë të lëshojnë rregullore me qëllimin e testimit të tregut, si dhe identifikimit të problematikave”, shton Presidenti.
Presidenti rendit si rrezik të shtuar edhe nxitimin e mazhorancës që ligji të hyjë në fuqi më 1 shtator 2020. Ai paralajmëron se në realitetin shqiptar, ky ligj mund të shumëfishojë problemet sociale dhe pasojat ekonomike të familjeve shqiptare.

“Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja”, deklaron kreu i shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë